Ishte 26 qershor 2018 kur kryeministri Edi Rama krenohej se vendi ynë ia kishte dalë “të merrte një datë për hapjen e negociatave”. Edhe pse në atë kohë ishte e qartë që kjo ishte një shtyrje në kohë me të paktën 1 vit, Rama sërish krenohej se ia kishte dalë të çonte Shqipërinë “në portin e parë të BE”.
“Pas 72 orësh mes dallgëve të brendshme të BE Shqipëria i’a doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar. Rezultatet e reformave tona bënë që dhe më skeptikët të njohin Meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë. Një betejë tejet e vështirë u fitua lufta vijon✌️”, - shkroi Rama në atë kohë, citon lapsi.al.
Madje, shumë herë Rama dhe ministrat e tij deklaronin se tashmë negociatat kishin filluar me të ashtuquajturin procesi “screening” dhe se kishte mbetur vetëm formalizmi për të çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.
Në fakt, një vit më parë ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian ranë dakord që negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë të hapeshin në qershor 2019, por u vunë disa kushte përpara se të ndërmerrej një hap i tillë.
Një vit më pas Shqipëria ndodhet sërish në të njëjtën situatë. Kushtet nuk janë plotësuar, por janë shtuar edhe të tjerë nga Gjermania. Por sërish Rama thotë se kemi filluar negociatat me BE-në.
“LAJM I MIRE! Faleminderit të gjithë deputetët e CDU/CSU që më në fund VOTUAN PRO HAPJES SË NEGOCIATAVE. Ata qē votuan KUNDËR do t’i bindim në çdo hap me FAKTE se SHQIPËRIA E MERITON hapjen e negociatave. FALEMINDERIT ANGELA për mbështetjen e pakursyer për SHQIPËRINË”, - shkroi të martën Rama.
Edhe pse Rama flet për hapje të negociatave kjo duket e vështirë në samitin e liderëve të BE-së në 18 tetor. Franca mbetet ende kundër, Holanda dhe Danimarka gjithashtu janë skeptike. Mbetet për tu parë nëse vendimi i Gjermanisë për një çelje të negociatave me kushte mund të gjejë sërish gjuhën e përbashkët në tryezën e 28 vendeve anëtare. ©LAPSI.al