Kryeministri Edi Rama ka publikuar sërish një mesazh nga aksioni kundër informalitetit të shtrirë në të gjithë vendin.
Në një postim në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook”, Rama ka ndarë me ndjekësit një foto të tij së bashku me një sipërmarrës, “katunarin e vet”, që e porosit në zhargon (prirje populiste e adoptuar edhe nga "dishepulli" i tij më i spikatur, Erion Veliaj) që të mos harrojë të lëshojë kuponin tatimor.
“Yllin e famshëm të Peshkut në Tiranë, e dua shumë se është punëtor i madh? Po Ligjin e dua edhe më shumë? Pranej Yllo, se t’kom ene katunarin tim anej nolt, men për her tjetër me kuponat?Ene mos e harro inglizin, që thot “Dy gjona jon t’vdekme për robin n’demokraci, vdekja ene taksat”?”-shkruan Rama.
Megjithatë, mbetet për t’u shpresuar që ky aksion i vrullshëm, me sanksione të përditshme të vijojë me të njëjtin intensitet dhe paanshmëri, në dallim nga të tjera nisma të qeverisë “Rama” (kundër vjedhjes së energjisë, kundër kanabizimit të vendit etj), që më tepër se të dobishme, rezultuan propagandistike. Për më tepër, informaliteti nuk duhet luftuar me fushata “part-time”, në pikun e qarkullimit të parasë, me qëllim mbushjen e arkave të shtetit, por dhënia e kuponit tatimor duhet rrënjosur në kulturën e të bërit biznes në Shqipëri.
Në kuadër të aksionit kundër informalitetit, Rama shkarkoi nga detyra muajin e kaluar ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Enton Duron, me arsyetimin se përkundër pritshmërive, nuk kishte përmirësuar rezultatin e grumbullimit të të ardhurave buxhetore, edhe pse të dhënat e publikuara së fundmi nga ministria e Financave, tregonin qartazi se përgjegjëse për “gropën” e krijuar në buxhet për shkak të mosrealizimit të planit, është Drejtoria e Doganave.