Partia Demokratike ka njoftuar se ka depozituar në Prokurori një kallëzim penal kundrejt Prefektes së Tiranës, Suzana Jahollari, me motivacionin e cënimit të autonomisë së pushtetit lokal në Bashkinë e Kamzës.
Në një deklaratë për shtyp nga selia blu, nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho, është shprehur se në shkelje flagrante të ligjit, Jahollari ka vendosur që mbledhja e Këshillit Bashkiak të Kamzës që ishte thirrur për konstituim në datën 14 Gusht nga Sekretari aktual, të bëhet ditën e nesërme, “sepse Edi Ramës nuk i pritet që të pushtojë Bashkinë e Kamzës”.

“Ligji i pushtetit lokal ia jep këtë kompetencë sekretarit aktual, por, megjithëse ai e ka ushtruar atë rregullisht, duke thirrur konstituimin e Këshillit Bashkiak të Kamzës brenda afatit, përfaqësuesja e Edi Ramës ka vendosur të cënojë autonominë e pushtetit lokal dhe të uzurpojë kompetencën e sekretarit të këshillit bashkiak.”- ka thënë Spaho.
Më tej në deklaratë, Spaho shton se “Mbledhja e paligjshme e Këshillit Bashkiak të Kamzës është një rast më shumë që tregon se kryebashkiakët ilegjitimë të 30 Qershorit nuk do t’i shërbejnë interesit publik, nuk do të marrin vendime në interes të qytetarëve. Ata do të jenë vetëm disa kukulla të tjera në duart kriminale dhe hajdute të Edi Ramës”.