Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përsëritur se opozita e bashkuar joparlamentare i përmbahet kushteve të parashtruara për pjesëmarrjen në zgjedhje, në aksionin që pasoi aktin e djegies së mandateve në shkurt të këtij viti.
Në kuadër të turit të takimeve me strukturat lokale të demokratëve, Basha shprehu vendosmërinë për të përmbushur synimin e opozitës për largimin e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, në të njëjtën datë të dekretuar (13 tetor) nga presidenti i Republikës, Ilir Meta, për zhvillimin e zgjedhjeve vendore. “Zgjedhjet nuk janë çështje datash, por standardesh. Dhe beteja për zgjedhje të lira nuk është kauzë partiake, por është betejë e çdo shqiptari. Zgjidhja nuk eshte “ik ti e te vi unë”, por është beteja jetike për Shqipërinë e sotme dhe të nesërme, Shqipërinë e standardeve europiane”- është shprehur Basha në ndalesën e tij të radhës në Krujë.
Lideri i opozitës ka theksuar se arritja e zgjedhjeve me standarte evropiane mund të kryhet vetëm nëpërmjet dënimit të politikanëve “të kapur në blerje votash dhe në bashkëpunim me krimin e organizuar për pushtetin dhe pasurinë e tyre.”
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryedemokrati e ka cilësuar 30 qershorin si një refuzim të shumicës, “jo vetëm si një atentat ndaj demokracisë, kushtetutës dhe pluralizmit, por edhe si reagim i drejtëpërdrejtë i refuzimit të varfërisë, papunësisë dhe gjendjes ekonomike”, duke Basha shprehur gatishmërinë për t’iu përgjigjur mesazhit të shqiptarëve për ndryshim.