Pa mbërritur ende vjeshta kur pritet që kompania ajrore shqiptare “Air Albania” të rinisë fluturimet drejt Evropës, janë hedhur hijet e para të dyshimit mbi lidhjen e kryeministrit Edi Rama me subjektin në fjalë.
Mesa duket, kreu i qeverisë ka “parandjerë” sulmet që do ta targetonin, pasi në postimin ku shpërndante një buletin me çmimet e biletave për fluturimet e kompanisë në disa qytete të Italisë, shkruante “tani jepini, filloni shani e përqeshni”.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherësh ish-ministër i Arsimit, Genc Pollo akuzon Ramën për favorizimin e një miku të tij, i cili sipas tij, ka marrë 41% të aksioneve të avionit të dytë të “Air Albania”, pa investuar.
“Ajo që mbetet pa thënë është se 41% të aksioneve të “kompanisë ajrore kombëtare” të Shqipërisë e posedon njê “mik” i KM Rama. I ka marrë këto 41% pa investuar gjë e “pa hudh ndonji lek”. Air France, Lufthansa, British Airëays e Alitalia janë themeluar fill pas L2B nga qeveritë përkatëse si kompani ajrore kombëtare me pronësi 100% shtetërore. Shefi i qeverisë së Francë, Gjermanisë, Britanisë e Italisë, asokohe nuk do kishte menduar e jo më guxuar t’i falte aksione ndonjë “miku”. Për më tepër shteti shqiptar posedon vetëm 10% në Air Albania”, shkruan Pollo në “Facebook”.
