Takimi elektoral i radhës së kryeministrit Edi Rama është parashikuar të mbahet në Tropojë dhe në Kukës.
Dega e Partisë demokratike në Kukës ka bërë me dije se është kërkuar një leje tubimi për një periudhë prej 8 orësh nga Komisariati i Policisë së këtij qyteti, marshim i cili do të nis nga qendra e Kukësit deri në aeroport, ku edhe do të zhvillohet takimi elektoral i PS-së në orën 18:00 të pasditës së sotme. Në këtë kërkesë bëhet me dije se pritet të marrin pjesë në tubim rreth 5 mijë qytetarë të cilët protestojnë kundër zgjedhjeve anti-demokratike të 30 Qershorit.
Ndërkohë pak më herët, kryebashkiaku aktual i Kukësit ka paralajmëruar hapur kryeministrin Rama që të mos guxojë të shkojë në këtë qytet dhe të tallet me kuksianët.
Ndërsa në qytetin e Tropojës qytetarët kanë nisur vendosjen e pankartave nëpër qytet kundër qeverisë dhe kryeministrit si dhe kundër dëmtimit të lumit të Valbonës nga ndërtimi i HEC-eve.