Gjykata e Matit ka dënuar me burgim të përjetshëm 51-vjeçarin Kujtim Koxha, i cili akuzohej për një vrasje të trefishtë në fshatin Shëlli të Matit, më 11 tetor të vitit të kaluar.
Si rrjedhojë e përshkallëzimit të një konflikti verbal me 3 punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve të Bashkisë së Matit në një lokal të fshatit, Koxha është larguar drejt banesës për të marrë një armë automatik që e zbrasi në drejtim të viktimave. Nga përplasja për një rrugë të pashtruar që degradoi në të shtëna, humbën jetën Erzen Alia dhe Mentor Hoxha, punëtorë të bashkisë, si dhe Hamit Buci, banor i fshatit Shëlli.
Në seancën gjyqësore, autori i ngjarjes është shprehur se vrasjen e ka kryer në kushtet e tronditjes, pasi sipas tij njëri nga viktimat, Erzen Alia, e ka goditur dhe e ka fyer.