Pavarësisht refuzimit që kryeministri Edi Rama i bëri titullit "Qytetar Nderi" nga Bashkia e Dibrës, një këshilltar i këtij institucioni ngulmon të nderojë me çdo kusht "idhullin" e tij. Këshilltari i pavarur i bashkisë Dibër, Astrit Ademi, i cili ishte dhe i pari që propozoi dhënien e titullit "Qytetar Nderi" për kryeministrin, është shprehur se do të bëjë një bust për këtë të fundit pas përfundimit të rrugës së Arbrit.
"As kam bërë bisedë me stafin e kryeministrit, as më stafin e Bashkisë. Ajo ishte një ide personale e imja si këshilltar i pavarur. Është një mirënjohje e popullit të Dibrës për atë rrugë që ne e kemi pasur ëndërr. Unë do të thosha edhe një gjë tjetër për këtë, që ditën kur ta mbarojë do t’i bëjë një bust Ramës, jo kryeministrit, por Edi Ramës. Ku të jetë më i përshtatshëm do t’i bëj një bust me paratë e mia. Sepse është një tmerr të nisesh për Tiranë, është tmerr për çdo dibran.", u shpreh ai.