Disa ditë pas grabitjes së ndodhur në Rinas, ku u vodhën 6.5 milion euro, si dhe ekzekutimit të Admir Muratajt, vëllai i tij ka dhënë një deklaratë për mediat. Can Murataj, tregon jetën e panjohur të Admirit, nga shkolla për pedagogji, puna si mësues, emigrimi në Greqi ku punoi si murator profesionist dhe deri tek devijimi në vitin 2014, kur sipas tij pësoi çekuilibrime dhe iu fut botës së krimit përmes grabitjeve. Thotë se është munduar të ruajë qetësinë përballë faktit që vëllai i tij u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, ndërsa u hodh në rrugë sipas tij nga bashkëpunëtorët në grabitje. Policia e ka survejuar familjen e tij prej vitit 2017, tregon ai, ndërsa pasuria e vetme e Admirit sipas tij, është vetmë një vilë në Prezë, ku ai dha edhe intervistën për mediat.
Para gazetarëve, Can Murataj thotë se ka qenë gjithmonë transparent me policinë, por thekson se: Bashkëpunëtor nuk do të quhet kurrë. Vëllai tjetër i tij është në burg i dënuar për grabitjet, por Can Murataj thotë se atë ditë Aleksandri ka qenë në operacion tek dentisti dhe se është arrestuar vetëm për tu shfrytëzuar si person që mund të çonte drejtësinë tek Admiri.
Can Murataj tregon se Admiri ka studiuar për pedagogji, “ka qenë mësues, më tej iku nga mësuesia dhe mori gruan e tij dhe fëmijët në Greqi”. “Punoi atje murator, por pasi disa vitesh u rikthye i zhgënjyer nga jeta atje. Iku nga mësues mori nusen iku në Greqi. I thash: Vëllai ik nga Greqia është Evropa e madhe! Të jeni të bindur tek zoti, ka filluar punën në Greqi murator, mori një magazinë supermarket për mirëmbajtje. I ka ndërruar emrat për motive përfitimi. Po nuk ishe Thanasi në Greqi nuk tu hapnin duart. Më erdhi më tha Greqia ka marrë fund, ka rënë 16 kile në peshë, nuk e kanë njohur si njeri. Në 2014-ën ju kthye grabitjeve në shuma të mëdha. Del ajo pangopja sikur Admir Murataj”, thotë ai.
Ai tregon më tej se nuk e ka kuptuar kurrë përse vëllai i tij iu fut botës së paligjshme të grabitjeve. Thotë se vetë ai nuk ka përfituar asnjë para prej lekëve të grabitura. “Kam ngrënë kam pirë me të. Kurrë në jetën time, nuk kam përfituar një 50 cent nga ana familjare, çdo familje është në jetën e tij, ka aktivitetin e tij. Kurse ne kemi dhe zakon barra e vëllait më ra mua do ta heq dhe jam ballëlartë”, rrëfen Can Murataj.
Por mbi të gjitha, për të Admirim mbetet vëllai më i mirë. “Saç peshonte trupi kishte zemrën. Për mua është vëllai më i mirë që mund të jetë. Për mua nuk vjen më, iku. Ka qenë për familjen shoqërinë miqtë, njerëzit, kurrë në jetën time nuk mund të bëhem më i mirë se Admiri, as për familjen time“, përfundon ai. Gruaja e Admir Muratajt jeton në Tiranë me fëmijët.