Me mbërritjen e orës 18:00 pritet nisja e protestës së paralajmëruar të opozitës së bashkuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Të shtrënguar nga moti me reshje, organizatorët e Partisë Demokratike kanë shpërndarë për protestuesit qindra çadra me mbishkrimin “Rama ik”, ku përmblidhet edhe mesazhi politik i tubimit.
Në oborrin e selisë blu janë grumbulluar protestues të shumtë në pritje të daljes së kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe të ish-deputetëve të kësaj force politike, për të marshuar drejt godinës së kryeministrisë. Kësaj herë, një simbolikë që i shtohet protestës në vend të bojë, janë bidonat me qumësht.

Protesta e sotme do të udhëhiqet nga slogani “Shqipëria ngrihet përpara kryeministrisë”, duke kërkuar krijimin e një qeverie tranzitore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, shoqëruar me largimin nga posti të kryeministrit Edi Rama.