Ka nisur protesta e tretë kombëtare e opozitës së bashkuar me protestues të shumtë që janë grumbulluar përpara Kryeministrisë. Banorët e Astirit kanë qenë protestuesit e parë që kanë mbërritur në sheshin para godinës së kreut të qeverisë duke mbajtur në duar një banderolë të madhe me mbishkrimin “Qeveri e krimit”.
Në ndryshim nga protestat e kaluara, këtë herë shumica e protestuesve është parë të jenë pajisur me flamuj të Partisë Demokratike. Punonjësit e policisë janë pozicionuar përqark kryeministrisë duke krijuar kordonin rrethues para kryeministrisë. Në gatishmëri janë vënë edhe forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, punonjësit e Gardës dhe të RENEA-s.

Përkundër “traditës” së krijuar nga dy protestat e mëparshme masive, para kryeministrisë është ngritur një podium, ku do të mbajnë fjalën pjesëmarrësit në tubim, si edhe krerët e partive kryesore opozitare, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.
