Në një konferencë për shtyp nga selia blu, Lulzim Basha komentoi grabitjen spektakolare të një dite më parë dhe akuzoi policinë se nuk po bën detyrat e saj. Basha tha se policia hedh gaz lotsjellës në shtëpitë e shqiptarëve për t’i prishur ato, por grabitjet si ajo e djeshmja nuk i ndalon dot.
E gjitha kjo sipas Bashës, ndodh sepse qeveria ka bërë pakt me krimin. Ai ftoi shqiptarët në protestën e 13 Prillit për t’i dhënë fund këtyre lidhjeve. Basha tha ndër të tjera se vendi sot është në emergjencë kombëtare.
“Vrasjet, tritoli dhe grabitjet me armë po trondisin sigurinë mes qyteteve tona. Kur në Rinas që është zona me sigurinë më të lartë grabitet avioni i linjës ndërkombëtare në mes të ditës, çdo kush e kupton se në çfarë niveli është policia e në çfarë niveli është katandisur siguria. Kjo ndodh se shteti ka rënë. Arsyeja kryesore e rënies së shtetit është pakti mes krimit dhe qeverisë ilegjitime. Dhënia fund e këtij regjimi është sot emergjencë kombëtare, ndaj protestojmë të shtunën”,- tha Basha.