Punonjësit e Kombinatit Mekanik në Poliçan kanë dalë në protestë për shkak se prej 1 viti e gjysmë ata nuk marrin rroga. Protestës iu bashkuan edhe ish/punonjësit e kombinatit të hequr nga puna padrejtësisht, të cilët edhe pse kanë fituar të gjitha proceset gjyqësore nuk kanë marrë asnjë lekë. Protestuesit pohojnë se janë 130 punonjës që prej 1-viti e gjysmë nuk kanë marrë pagat në këtë kombinat, ku punojnë ende edhe sot. Sipas protestuesve, të gjithë ish/punonjësit që kanë fituar edhe gjyqet, kanë vite që presin në dyert e Kombinatit dhe nuk kanë marrë pagat, edhe pse kryeministri ka deklaruar me forcë që të zbatohen të gjitha vendimet gjyqësore.
Punonjësit kanë kërkuar vëmendjen nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes për të pasur një projekt konkret për vazhdimësinë e punës në këtë Kombinat. Sipas punonjësve protestues, nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes ka pasur një neglizhencë totale dhe një papërgjegjshmëri, pasi kjo ministri e ka parë këtë kombinat vetëm për fitime personale. Edhe sot, Ministria e Mbrojtjes ka kontrata me kompani të huaja, që vijojnë që nga viti 1991 deri sot të shesin municionet dhe fishekët e Poliçanit, ndërkohë që punëtorët rrinë pa u paguar për punën.
Punonjësit shprehen se nëse shteti nuk ka mundësi dhe projekte konkrete për të venë në punë Kombinatin, atëherë të paktën të mos pengojë kompanitë e huaja që kanë shprehur interes për ta marrë me konçension Kombinatin Mekanik Polican, duke ruajtur identitetin për prodhimin e municioneve dhe duke punësuar një numër të konsiderueshëm punonjësish nga qyteti i Poliçanit.
Punonjësit kanë deklaruar se nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre ata do t’i përshkallëzojnë protestat përpara Ministrisë së Mbrojtjes, deri në grevë urie.