Katër muaj para zhvillimit të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka deklaruar se qytetarëve shqiptarë që nuk kanë një adresë të saktë nuk do t'u ofrohet asnjë shërbim.
Për të krijuar lehtësira në trasferimin e dosjeve, qeveria ka nisur përgatitjen e një drafti ligjor.
"Sot kemi një situatë paradoksale ku në dokumentet shumë zyrtarë ku kërkohet adresa, nuk vendoset adresa. Ne po punojmë për të bërë një inciativë ligjore që do të detyrojë të gjithë ata që ofrojnë shërbimin që të mos e ofrojnë shërbimin nëqoftëse qytetari nuk ka një adresë të vlefshme sipas regjistrit", tha Lleshaj.
Në takimin ku ishin të pranishëm prefektët, përfaqësues të njësive vendore dhe zyrave të gjendjes civile, Lleshaj kërkoi angazhim maksimal për vendosjen e sistemit të adresave në të gjitha qytetet dhe fshatrat e vendit.