Partia Demokratike akuzon kryetarin e Parlamentit, Gramoz Ruçi se mban të fshehtë orën e mbledhjes së parlamentit të martën. Në faqen e internetit është publikuar data e mbledhjes së parlamentit të martën , por jo ora e tij. Kjo për të shmangur protestën e opozitës.
“Edi Rama, lejoje Gramozin të publikojë orën e seancës plenare! Seanca plenare nuk është si PPP e tua, që i njoftohet vetëm klientit privat dhe publikut i mbahet i fshehtë. Parlamenti është i qytetarëve, jo i përfaqësuesve të krimit! Shihemi më 5 Mars përpara Parlamentit!” – shkroi në rrjetet sociale, Gazmend Bardhi, sekretar i Përgjithshëm i PD-së. Ai publikoi edhe pikën 2 të nenit 30 që detyron Kryetarin e Kuvendit të njoftojë orën në mbyllje të seancës plenare.
“Drejtuesi i seancës plenare ose kryetari i komisionit, para se të mbyllë përkatësisht seancën ose mbledhjen, njofton orën e fillimit të seancës plenare ose të mbledhjes së ardhshme”. Kjo nuk ndodhi në seancën e së martës, e cila u thirr në ilegalitet nga frika e protestës së opozitës” – thotë Bardhi.