Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka reaguar mbrëmjen e së hënës pas publikimit në media të një materiali video ku një punonjës policie i Malësisë së Madhe shfaqet duke kryer veprime të turpshme. SHÇBA thotë se në vlerësim të veprimeve paraprake hetimore ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Berhan Bajrakurti, specialist i Policimit në Komunitet në Gruemirë të Malësisë së Madhe i dyshuar per veprën penale “Ngacmim seksual”.
“Nga hetimet rezulton se materiali video është regjistruar ne ambient te mbyllur (banesa personale) kjo e dokumentuar nga këqyrja e banesës. Në cilësinë e provës materiale, është sekuestruar dhe këqyrur aparati i telefonit me te cilin dyshohet se ka kryer komunikimin. Nga verifikimet e kryera nga SHÇBA, nuk u evidentuan fakte dhe rrethana, të cilat provojnë se ka pasur një ankesë drejtuar në Polici nga ndonjë shtetas për rastin ne fjalë.
Për këtë rast po hetohet nga sektori për Krimet Kompjuterike për identifikimin e personit dërgues të mesazhit dhe videos që u dërgua për publikim në medie. SHÇBA nxit dhe inkurajon personin denoncues apo këdo që ka dijeni për rrethana apo informacione për këtë rast apo raste të tjera të denoncojë duke u garantuar anonimatin dhe dhënien e mbrojtjes së menjëhershme” – thuhet në deklaratën e SHÇBA. ©LAPSI.al