Armina Mevlani i ka shfrytëzuar edhe këto ditë të "ndarjes" me Shkëlzen Berishën (ajo po pushon me prindrit në Jug ndërsa ai me motrën dhe burrin e motrës në Korfuz) për të qenë në qendër të vëmendjes. Në një intervistë për revistën “Living”, ajo ka rrëfyer bashkëjetesën me djalin e Sali Berishës pas incidentit të fundit me kalin që ish gruaja e Shkëlzenit, Sadija e tërhoqi për në Suedi. Me ironi Sadije Berisha kishte thënë se qenin e mbetur ne Tiranë do t'ia linte dhuratë për dasëm të shoqit. Duket se tonet janë ngritur mes të dashurës dhe ish gruas. Sepse në intervistë Armina e sfidonte hapur paraardhësen duke deklaruar: “Unë s’i kam hyrë askujt në pjesë”.
Pak kohë më parë në një rrëfim të gjatë në emisionin e Rudina Magjistarit ajo ishte treguar shumë më e kujdesshme me Sadijen. Ajo pat deklaruar se i vinte keq për dhimbjen e saj dhe se këto janë gjëra që ndodhin në jetë. Por tani me sa duket gjërat kanë ndryshuar. Gjakrat janë nxehur dhe Armina ka treguar se sipas rastit, ajo di të përdorë dhe shkopin dhe karrotën.