
Këtë javë UEFA do të shpërndajë rreth 31.5 milionë euro për klubet që kanë vënë në dispozicion lojtarët e tyre për Nations League 2024/25; bëhet fjalë për pagesën e parë të parashikuar nga cikli aktual i programit UEFA për përfitimet e klubeve ('UEFA Club Benefits Programme'), në përputhje me Memorandumin e Mirëkuptimit mes UEFA-s dhe EFC. Këto pagesa - thuhet në një komunikatë - janë pjesë e fondit të përgjithshëm prej 104 milionë eurosh të destinuar për klubet që lëshojnë lojtarët për edicionet 2024/25 dhe 2026/27 të Nations League dhe për kualifikueset e Euro 2028.
Si shpërndahen të ardhurat
Mekanizmi i shpërndarjes së programit mbetet i pandryshuar krahasuar me edicionin e mëparshëm. Programi parashikon një dëmshpërblim të llogaritur mbi bazën lojtar/ndeshje, me një shumë prej 3.845 eurosh për çdo paraqitje të një lojtari të kualifikuar në protokoll në një ndeshje të Nations League ose të kualifikueseve europiane. Për Euro 2028, dëmshpërblimi do të llogaritet në bazë lojtar/ditë. Programi përfshin 611 klube që u përkasin të gjitha federatave anëtare të UEFA-s, përfshirë edhe shumë klube amatore. Klubi gjerman i Leipzigut do të marrë shumën e përgjithshme më të lartë në këtë këst pagesash, rreth 353.000 euro, për faktin se ka vënë në dispozicion 16 lojtarë të tij. Në këtë pikë në Shqipëri fërkojnë duart Dinamo, Tirana e Egnatia që kanë edhe lojtarë në Kombëtaret europiane.
Ceferin: "Kur futbolli lulëzon, të gjithë përfitojnë"
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka deklaruar: "Programi i mbështetjes për klubet njeh kontributin themelor që klubet japin në suksesin e futbollit të kombëtareve. Përmes këtij programi, ne shpërndajmë për klubet në të gjithë Europën - si profesioniste, ashtu edhe amatore - një pjesë të të ardhurave të UEFA Euro dhe UEFA Nations League, duke njohur rolin e tyre në zhvillimin e lojtarëve dhe në vënien e tyre në dispozicion të kombëtareve. Kur futbolli lulëzon, të gjithë përfitojnë".
Al-Khelaïfi: "Më shumë se 600 klube do të përfitojnë nga kjo pagesë"
Nasser Al-Khelaïfi, Presidenti i European Football Clubs (EFC), ka deklaruar: "Programi i përfitimeve për klubet përfaqëson një komponent themelor të partneritetit strategjik mes UEFA-s dhe EFC-së. Shtrirja dhe ndikimi i tij janë të dukshme, duke qenë se më shumë se 600 klube të çdo madhësie do të përfitojnë nga kjo pagesë e parë. Nisma njeh kontributin thelbësor që klubet japin në futbollin ndërkombëtar, duke zhvilluar lojtarët dhe duke i vënë ata në dispozicion të kombëtareve përkatëse. Jemi shumë të kënaqur që vazhdojmë të forcojmë këtë lidhje jetike mes futbollit të klubeve dhe atij të kombëtareve".
244 milionë euro për tu shpërndarë
Cikli aktual i përfitimeve për klubet, i lidhur me Euro 2028, parashikon një shpërndarje të përgjithshme prej 244 milionë eurosh, përfshirë 4 milionë të mbetura nga programi i Euro 2024. Nga kjo shumë, 104 milionë u dedikohen klubeve që vënë në dispozicion lojtarët e tyre për Nations League (sezonet 2024/25 dhe 2026/27) dhe për kualifikueset e Euro 2028 (European Qualifiers 2027-28), ndërsa 140 milionë të tjera u rezervohen klubeve që lëshojnë lojtarët për fazën finale të turneut. Pagesa të tjera në kuadër të programit do të kryhen me faza, ndërsa kompeticionet përkatëse do të përfundojnë.