
Operacioni “Coca Delivery”, goditet rrjeti i kokainës në Itali Shqiptarët rekrutoheshin me viza turistike për t’u përdorur si korrierë droge
Një operacion i madh antidrogë i koduar “Coca Delivery” është zhvilluar nga autoritetet italiane në L’Aquila dhe në disa zona të tjera të Italisë, duke çuar në goditjen e një organizate kriminale të përfshirë në trafikun dhe shpërndarjen e kokainës. Në qendër të hetimeve ndodhen edhe shtetas shqiptarë, të cilët sipas prokurorisë italiane rekrutoheshin në Shqipëri dhe silleshin në Itali me viza turistike për t’u përdorur si korrierë dhe shpërndarës droge.
Operacioni u koordinua nga Prokuroria Antimafia e Distriktit të L’Aquilës dhe u realizua nga Karabinierët italianë me mbështetjen e njësive speciale nga rajone të ndryshme të vendit. Masat e sigurisë u ekzekutuan ndaj anëtarëve të tre grupeve kriminale, të hetuar për organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike dhe shpërndarje të paligjshme droge.
Hetimet nisën në janar të vitit 2023 pas disa arrestimeve për shpërndarje droge në flagrancë. Gjatë veprimeve hetimore, autoritetet zbuluan një rrjet të mirëorganizuar që menaxhonte tregtinë e kokainës në L’Aquila dhe zonat përreth, duke përdorur metoda të sofistikuara për të shmangur kontrollet policore dhe për të garantuar vazhdimësinë e aktivitetit kriminal.
Sipas dosjes hetimore, drejtuesit e organizatës rekrutonin të rinj shqiptarë në Shqipëri dhe i dërgonin në Itali me viza turistike. Pasi mbërrinin në Itali, atyre u siguroheshin makina me qira, telefona celularë, karta SIM dhe apartamente në periferi të qytetit ose në komunat pranë L’Aquilës. Roli i tyre ishte shpërndarja e kokainës në doza të vogla në territor.
Hetuesit italianë thonë se organizata shfrytëzonte faktin që korrierët shqiptarë nuk kishin precedentë penalë. Në rast se binin në kontakt me policinë ose arrestoheshin, pas lirimit ata largoheshin menjëherë nga Italia dhe ktheheshin në Shqipëri, duke u bërë të vështirë për t’u gjurmuar nga autoritetet.
Nga hetimet ka rezultuar se aktiviteti kriminal kishte nisur që në vitin 2022 dhe përfshinte tre grupe kriminale që bashkëpunonin mes tyre për kontrollin e tregut të kokainës në zonën e L’Aquilës.
Gjatë operacionit janë kryer 16 arrestime në flagrancë për posedim, transport dhe shitje droge. Autoritetet sekuestruan rreth 1 kilogram kokainë, ndërsa hetimet dokumentuan shpërndarjen e mbi 3.200 dozave narkotike. Sipas përllogaritjeve të hetuesve, organizata kishte realizuar fitime prej rreth 125 mijë eurosh.
Në përfundim të hetimeve, mbi 100 persona u raportuan si përdorues të lëndëve narkotike, ndërsa ndaj 40 të dyshuarve janë ngritur gjithsej 135 akuza penale.
