
Socialistët po vazhdojnë të luajnë teatër për të fshehur se kush e dha urdhrin për syrgjynosjen e Erion Veliajt në qelitë e paraburgimit të Fierit. Sipas raportimeve në media, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, u është përgjigjur Bledi Çuçit dhe Fatmir Xhafajt se ka urdhëruar një inspektim për të verifikuar rrethanat e transferimit të papritur të kryebashkiakut të Tiranës nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit, dy ditë më parë.
Me këtë përgjigje, Gogu jo vetëm e heq nga vetja pataten e nxehtë të rastit Veliaj, por përpiqet edhe të distancohet nga vendimi, duke e paraqitur atë si një çështje që kërkon hetim administrativ.
Ndërkohë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ka ndodhur një lëvizje e pazakontë. Drejtoresha Satleva Bodo i ka deleguar kompetencat e saj te zëvendësdrejtori Anesti Kapllani.
Me pak fjalë, mbetet jetime përgjegjësia për fatin e Lali Erit, të burgosurit VIP që guxoi të inkurajonte protestat kundër qeverisë, i frymëzuar nga rrëzimi i Vuçiçit në Serbi.
Më herët, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kishte refuzuar të bënte publike arsyet e transferimit të Veliajt në Fier, duke i trajtuar ato si sekret shtetëror.
Por, ndërsa përgjegjësia endet nga një zyrë në tjetrën, gjurmët të çojnë në një drejtim të vetëm, te zyra e kryeministrit Edi Rama, që duhet të jetë acaruar me rebelimin e ish-benjaminit të tij.
Gjatë ditëve të protestës, Rama vuri në lëvizje Antiterrorin për të ndjekur statuset e protestuesve në Facebook dhe Instagram. Ndaj 16 personave nisën procedime penale. Ndërsa të tjerë u telefonuan nga zyrat e policisë, duke iu kërkuar të paraqiteshin në komisariate.
Nëse qytetarë të thjeshtë u përndoqën për ato që shkruajtën në rrjetet sociale, s'kish si të kursehej Lali Eri, që nga qelia guxoi të përshëndeste fundin e një bote politike në Beograd, aq të ngjashme me atë që Rama ka ndërtuar në Tiranë.

