
Gazetari Artan Hoxha tha se protesta antiqeveritare në Tiranë, që u shoqërua me akte dhune, nuk ka lidhje me Antifën siç është munduar që ta paraqesë kryeministri Edi Rama. Në një intervistë për News24, Hoxha theksoi se Antifa e vërtetë në Shqipëri është kryeministri dhe struktura e tij.
Sipas tij, pakënaqësia ndaj Ramës nuk është vetëm studentore, por përfshin mbarë popullin. Ai kritikoi gjithashtu kryeministrin për faktin se nxorri fotot dhe emrat e personave që dolën në protestë, duke e cilësuar si një “fletë rrufe komunizmi”.
“Nuk ishte protestë kjo e flamingove dhe studentëve, është pakënaqësi popullore. Revolta sot dhe pakënaqësia është popullore, jo thjesht e studentëve. Studentët janë ata që vijnë në mënyrë të organizuar.
Doli pa pikën e turpit si fletë rrufetë e kohës së komunizmit, duke i nxjerrë me foto dhe emra kush janë njerëzit. Gjykatë je ti? Prokuror? Rektor? Në vend që të marrësh masa ndaj policisë, shkon edhe merr masa ndaj qytetarëve.
Edhe planin e masave që publikoi, janë kaq të papërgatitur dhe të dobët, sa edhe atë nuk e bënë vetë por e morën të gatshëm. Ndaj ishte ndalimi në trena sepse ajo është për Italinë dhe Francën. Antifa në Shqipëri është Edi Rama dhe strukturat e tij. Nuk ka Antifa këtu.“, u shpreh ai.