
Shqipëria e nisi me fitore aventurën në Ligën e Kombeve, duke mposhtur 2-0 Bjellorusinë në shtëpi. Pas ndeshjes, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli dhe Ernest Muçi folën për paraqitjen e skuadrës, skemën e lojës dhe objektivat e Kombëtares.
Berat Gjimshiti: “Aspekti fizik dhe mental është shumë i rëndësishëm”
Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, vlerësoi fitoren, por theksoi se skuadra ka ende hapësirë për përmirësim në fillimin e aventurës me trajnerin Maran.
“Ka për t’u përmirësuar, është vetëm fillimi i trajnerit Maran. Një Ligë e Kombeve e re, për një kualifikim në Europian. Në topat e dytë ishin më agresivë dhe fituan më shumë duele. Me kalimin e kohës morëm në dorë lojën, shkuam në avantazh, u bë më e thjeshtë.
Aspekti fizik dhe mental është shumë i rëndësishëm. Duhet të jemi të përqëndruar dhe të japim maksimumin për të arritur diçka me Kombëtaren.”
Gjimshiti sqaroi edhe hierarkinë e gjuajtësve të penalltive: “Lista kush e gjuan penalltinë është e përcaktuar. Asllani është i pari, Rei i dyti. Është më mirë për ne, kur gjuajtësit shënojnë”.

Ardian Ismajli: “Kemi merituar të fitonim edhe me rezultat më të thellë”
Ardian Ismajli e cilësoi fitoren veçanërisht të rëndësishme pas dy humbjeve në ndeshjet miqësore të qershorit, duke vlerësuar dominimin e Shqipërisë.
“Ishte shumë e rëndësishme pas dy miqësoreve të humbura në qershor. Kemi reflektuar, kemi dominuar kundërshtarin. Në 10 minutat e para kishim vështirësi, por ekipi që vuan ia del. Kishim mundësi për më shumë goli, por me rëndësi 3 pikët dhe që ia filluam me këmbën e mbarë.
Përshtypje shumë pozitive. E kemi dominuar kundërshtarin në çdo aspekt. Kemi merituar të fitonim edhe me rezultat më të thellë. Shpresoj t’i bëjmë rrugën vetes shumë më të lehtë për Europian.”
Ismajli foli edhe për mënyrën se si Shqipëria e përballoi presingun e Bjellorusisë: “Nuk kemi pritur që Bjellorusia do luajë presing, kemi pritur pak mbrapa. Jemi lojtarë të Seria A, dimë të mbrohemi. Morëm ndeshjen në kontroll dhe bëmë atë që duhej”.

Ernest Muçi: “Sot luajtëm me skemën 4-4-2, atje ndihem më mirë”
Ernest Muçi, i cili shënoi golin e dytë të Shqipërisë, u shpreh i lumtur për rikthimin dhe për fitoren, ndërsa theksoi se ndihet më mirë në skemën 4-4-2.
“Jam shumë i lumtur që u riktheva. Ishte shumë e rëndësishme ta fitonim këtë ndeshje. Falenderoj trajnerin për besimin. Kemi 3 ndeshje të tjera, për të dalë të parët në grup. Golin ia dedikoj familjes time, të dashurës dhe gocës time.
Sot luajtëm me skemën 4-4-2, atje ndihem më mirë, mund të tregoj aftësitë e mia. Është skemë e mirë për të gjithë. Sot treguam që fituam me këtë skemë dhe duhet të vazhdojmë.”
Muçi foli edhe për eksperiencën e tij me Kombëtaren: “Ishte ndeshja ime e katërt në 5 vjet si titullar me Kombëtaren dhe goli i katërt, shpresoj të vazhdoj të jap kontributin tim.”