
Numërimi mbrapsht për debutimin në Nations League pothuaj ka mbërritur në fund, edhe pse për Rolando Maran dhe stafin e tij kanë mbetur ende gjëra për tu përmirësuar deri kur Shqipëria dhe Bjellorusia të zbresin në fushë sonte në orën 20.45. Ankthi i pritjes për debutimin në kompeticion, në të cilin objektivat janë thënë, pritshmëritë janë rritur dhe steka është ngritur lart, ka përfshirë lojtarët, por edhe vetë trajnerin.
Maran ka bërë një nisje të pazakontë me kuqezinjtë, duke pësuar humbje në dy miqësoret që duhet të ishin ato-trampolinë. Në këtë pikë, përtej justifikimit që duhet kohë dhe përshtatje, nervozimi në ambjent nuk mund të mos ndihet, kur seria e humbjeve në total është pesë. Kështu që, tekniku italian është vetë i pari në një test, nga ku duhet të dalë me nota të larta, për të evituar një gjykim të përshpejtuar të tifozëve, që janë mësuar të provojnë shijen e turneve të mëdhenj. Kundër italianit kanë punuar edhe minutat e dëmtimet, duke humbur Pajazitin, Laçin e Balliun ende pa nisur turi i forcës prej 4 ndeshjesh në 11 ditë.
Pastaj, edhe me përgjegjësinë e atij që ka bërë zgjedhjet, Maran ka thirrur lojtarë pa minuta si Hysaj e Kumbulla, pa përmendur këtu debutuesin nga Serie C, që duket jashtë logjike të mendojë se do të përballojnë katër 90 minutësha radhazi, ku pesha kryesore bie mbi Hysajn, i vetmi lojtar i rolit. Por këto janë llogari që do të bëhen në fund, fillimisht Maran duhet të fitojë ndeshjen, për të fituar tifozët e qetësinë e për tu vënë në pozita komode për të fituar grupin. Përndryshe, rruga do të bëhet më e përpjetë se sa është aktualisht.
Situata delikate e Kombëtares
Kombëtarja është futur në proçesin e përgatitjes për debutimin në Nations League, kundër Bjellorusisë, me peshën e një serie të pazakontë humbjesh: 5 radhazi, duke barazuar sezonin 2016-17 kur Spanja, Izraeli, Italia, Bosnja dhe Luksemburgu i dhanë Giani De Biasit serinë më të gjatë negative në karrierën kuqezi. Jemi ende larg nga rekordi prej 10 humbjesh në periudhën 1989–1991, ku nisi me 0-2 ndaj Anglisë dhe u mbyll me 0-2 ndaj Çekosllovakisë, por sidoqoftë 5 humbje nuk janë pak. E si për koincidencë Izraeli dhe Luksemburgu, shfaqen në të dy seritë e fundit të humbjeve, që duhet thënë, kjo aktuale ka dy drejtime teknike të ndryshme.
Në fund të nëntorit 2025, në ndeshjen e fundit të kualifikueseve të Botërorit 2026, Sylvinho pa skuadrën e tij të humbiste në shtëpi me Anglinë 0-2, duke arritur gjithësesi gjysmëfinalet e playoff. E aty, në përballjen me Poloninë, braziliani humbi 2-1 duke vulosur mbylljen e kontratës me kuqezinjtë, edhe pse ndeshja e fundit në detyrë, ishte miqësorja me humbësen e ndeshjes tjetër gjysmëfinale të playoff kundër Ukrainës, por me rezultatin 1-0.
E pikërisht për ti dhënë startin trampolinë Rolando Maran dhe një kënaqësi më shumë tifozëve, dy miqësoret me të cilat tekniku italian debutoi në pankinën e Kombëtares në muajin qershor, u luajtën në shtëpi. Vetëm se rezultati ishte i njëjtë: 0-1 të dorëzuar ndaj Izraelit dhe Luksemburgut. Tre humbje në shtëpi nga pesë është një problem në fakt, sepse ajo që duhej të ishte pika e fortë e kuqezinjve, ashtu si ndodhi në kualifikueset e Euro 2024, është kthyer në një fortesë lehtësisht të pushtueshme dhe përpara ndeshjes në shtëpi me Bjellorusinë, Maran duhet ti bëjë vetes më shumë se një pyetje.