
Mbi 100 persona dyshohet se kanë humbur jetën pas një rrëshqitjeje dheu në një minierë artizanale ari në perëndim të Republikës së Afrikës Qendrore (CAR), pranë kufirit me Kamerunin.
Ngjarja ndodhi në zonën e Zamboyes, rreth 50 kilometra nga qyteti i Babouas. Autoritetet lokale kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, ku ekipet dhe banorët e zonës përpiqen të nxjerrin trupat nga rrënojat. Sipas raportimeve, disa persona vijojnë të jenë të bllokuar nën dhe dhe balte, ndërsa mundësitë për të gjetur të mbijetuar po pakësohen me kalimin e orëve.
Prokuroria publike e Babouas bëri të ditur se shembja u shkaktua nga rrëzimi i disa tuneleve nëntokësore ku punonin minatorët. Për ngjarjen ka nisur dhe një hetim. Zëdhënësi i qeverisë së CAR, Evariste Ngamana, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe tha se autoritetet po punojnë për të ofruar ndihmë dhe mbështetje.
Minierat artizanale në zonat e pasura me ar të Republikës së Afrikës Qendrore shpesh funksionojnë në mënyrë të paligjshme dhe pa respektuar standardet bazë të sigurisë.
Mijëra persona punojnë çdo ditë në këto zona me mjete të improvizuara, duke u ekspozuar ndaj shembjeve dhe aksidenteve të rënda. Aksidentet në minierat e kësaj zone janë të shpeshta dhe shpesh me pasoja fatale.