
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka shkakrkuar nga detyra ditën e sotme zëvendësdrejtoren e zyrës presidenciale Iryna Mudra, pasi akuzohet për korrupsion.
Shkarkimi erdhi vetëm pak orë pasi Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit dhe Prokuroria e Specializuar Kundër Korrupsionit njoftuan se kishin goditur një organizatë të dyshuar kriminale ku përfshihen një zyrtar i lartë i Presidencës, një deputet aktual, një ish-deputet, si edhe drejtues të një banke shtetërore.
Grupi dyshohet se ka pastruar rreth 3.4 milionë dollarë, që u përdorën për të paguar garancinë financiare të një të dyshuari në një çështje korrupsioni në sektorin energjetik.
Mediat raportuan se Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit kishte kontrolluar ambientet e lidhura me Mudra dhe deputetin Vadym Stolar. Mudra është përgjegjës për çështjet ligjore dhe reformën gjyqësore në zyrën presidenciale. Ajo më parë ka shërbyer si zëvendësministre e drejtësisë.
NABU ka publikuar fragmente nga bisedat e kapura si pjesë e operacionit, por nuk ka identifikuar publikisht folësit. Regjistrimet duket se përfshijnë diskutime rreth regjistrimit të pasurive në emër të fëmijëve dhe referenca për zyrën presidenciale. Operacioni vjen në mes të një serie hetimesh nga NABU dhe SAPO për korrupsion të dyshuar në nivelet më të larta të politikës ukrainase.