
Volodymyr Zelenskyy shkarkoi të mërkurën zv.shefen e stafit të tij, Iryna Mudra, teksa Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU, njëlloj si SPAK në Shqipëri) po kontrollon ambientet e lidhura me të. Një burim i zbatimit të ligjit me njohuri për hetimin i tha “Kyiv Independent” se oficerët e NABU-së po kontrollojnë shtëpinë e Mudrës.
NABU njoftoi disa orë më parë se po kryen një "operacion special për të zbuluar një organizatë kriminale, që dyshohet se drejtohet nga një deputet aktual dhe një ish-deputet ukrainas, dhe që përfshin zyrtarë të lartë të Administratës Presidenciale". Një burim i tha “Kyiv Independent” se Mudra është gjithashtu në qendër të hetimeve.

Më vonë gjatë ditës, agjencia ukrainase kundër korrupsionit dha më shumë informacione në lidhje me rastin, duke thënë se të dyshuarit akuzohen për pastrimin e 150 milionë hrivnias, ose rreth 3.4 milionë dollarë. Sipas NABU, paratë ishin paguar si garanci për një të dyshuar në një rast të veçantë korrupsioni.
Midis individëve që dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast janë ish-nënkryetari i Administratës Presidenciale, një deputet aktual dhe një ish-deputet, si dhe drejtori ekzekutiv dhe kryetari i bordit mbikëqyrës të bankës shtetërore “Sense Bank”.

Mudra ishte përgjegjëse për çështjet që lidhen me Drejtësinë dhe reformën gjyqësore në Administratën Presidenciale të Ukrainës. ©LAPSI.al