
Janë publikuar pamjet e aksidentit tragjik të ndodhur në orët e para të mëngjesit në Manëz të Durrësit, ku humbën jetën 3 persona dhe 2 të tjerë mbetën të plagosur.
Viktimat janë Kleo Vrioni, bashkëshortja e tij italiane Sara Brugentelli dhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri. Të dhënat e ekspertizës kanë hedhur më shumë dritë mbi sekondat që i paraprinë përplasjes fatale.
Sipas konkluzioneve të ekspertëve, automjeti drejtohej me një shpejtësi prej rreth 114 kilometra në orë në momentet para aksidentit.
Nga rindërtimi i dinamikës rezulton se, teksa ka hyrë në kthesë, drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit.
Fillimisht, goma e parë në anën e pasagjerit ka goditur bordurën, çka ka bërë që automjeti të humbiste më tej stabilitetin.
Pas goditjes, makina është përmbysur dhe ka vijuar të rrëshqasë e të zvarritet në rrugë për rreth 40 metra, deri në ndalimin e saj.
Pamjet dhe të dhënat e mbledhura në vendngjarje po përdoren nga ekspertët për të rindërtuar me saktësi trajektoren e automjetit dhe momentet që çuan në aksident.
Një tjetër element i rëndësishëm i ekspertizës lidhet me gjendjen e drejtuesit të mjetit. Analizat toksikologjike kanë konfirmuar se Kleo Vrioni kishte konsumuar alkool.
Më herët, nga të dhënat paraprake të hetimit ishte raportuar se automjeti mund të kishte qenë duke lëvizur me një shpejtësi prej 115 deri në 130 km/orë, ndërsa ekspertiza e mëtejshme e ka përllogaritur shpejtësinë në rreth 114 km/orë në momentet përpara humbjes së kontrollit.