
Përballja e madhe mes dy skuadrave të kreut nuk zhgënjen: në javën e pestë të Serie A, supersfida mes Romës dhe Interit përfundon 2-2. Mjaftojnë gjashtë minuta që vendasit të kalojnë në avantazh: krosim nga e djathta nga Dybala, devijim me kokë nga Molina dhe Manu Koné, me të djathtën, godet fort në tokë dhe mposht Martinez për 1-0.
Skuadra e teknikut Chivu përpiqet të reagojë pas golit të pësuar. Bastoni (shtyllë) dhe Lautaro (një penallti në lëvizje e gjuajtur lart) i afrohen shumë barazimit, por pas gjysmë ore lojë skuadra e Gasperinit shënon sërish. Aksion shumë i ngjashëm me atë të golit të pare: Dybala kroson në zonë dhe gjen Mancinin: mbrojtësi e prek topin dhe Manu Koné shënon sërish me një goditje të fuqishme me të majtën, por Massa e anulon menjëherë për pozicion jashtë loje. Pas një kontrolli të gjatë në VAR, goli për 2-0 konfirmohet, rezultat me të cilin dy skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes.
Në pjesën e dytë zikaltërit japin sinjalin e parë: kombinim mes Thuram dhe Lautaro, me francezin që përgatit aksionin për goditjen me të majtën që sjell 2-1 në minutën e 46’.
Momenti i ndeshjes kthehet në favor të miqve, të cilët pas një presioni të gjatë, por të kontrolluar, arrijnë të gjejnë golin e barazimit: sërish protagonist Lautaro, i cili nga një goditje këndi, me të djathtën, shfrytëzon devijimin e Bisseck dhe shënon golin përfundimtar për 2-2. Roma dhe Inter dhurojnë spektakël dhe mbeten të bashkuara në krye të renditjes, me nga 13 pikë.
BOLOGNA-TORINO 1-1
Debutimi i hidhur dhe i ëmbël njëkohësisht për Palladinon, i cili ndaj Torinos nuk shkon më shumë se barazimi 1-1. Bologna kalon në avantazh në minutën e 14’ falë një goli të Bernardeschi, i cili tregohet i saktë për të shfrytëzuar në zonë një top të kthyer nga mbrojtja e Torinos pas krosimit nga Miranda. Kuqeblutë bien në pjesën e dytë dhe goli i barazimit përfundimtar vjen në minutën e 77’ me Kulenovic, i futur në fushë në vend të Fitz-Jim. Në goditjen e sulmuesit kroat, aspak të pakapshme, Skorupski gabon dhe praktikisht e shtyn vetë topin në portë. Bologna ngjitet në kuotën e 2 pikëve; Torino në 4.
UDINESE-CAGLIARI 0-1
Është një Cagliari që vazhdon të ëndërrojë ai që siguron fitoren e katërt, të tretën në transfertë, në pesë javët e para të kampionatit. Vendos goli i Daniel Maldinit në minutën e 54’, pas një gabimi të pabesueshëm të mbrojtjes së Udineses, e cila ishte krejtësisht e papërgatitur ndaj një pasimi prapa të Miller: për sulmuesin italian ishte shumë e lehtë të kalonte Okoye dhe të dërgonte topin në rrjetë. Skuadra e teknikut Pisacane shkon në kuotën e 12 pikëve dhe do ta shijojë pushimin në zonën europiane. Humbja e tretë radhazi për skuadrën e Runjaic, e cila nuk arriti të shfrytëzonte rastet e shumta të krijuara.