
Fakti që përfaqëson një vend të vogël, që së fundmi u refuzua nga aleatët për samitin e radhës të NATO-s, nuk pengon Edi Ramën të flasë për çështje me rëndësi globale në vizitat jashtë vendit, si për shembull marrëdhëniet me Bashkimit Europian me Rusinë, SHBA etj. Me ftesë të Kancelarit Federal të Gjermanisë, Friedrich Merz, Rama, mori pjesë sot në takimin e “Koalicionit të Vullnetmirëve” (Coalition of the Willing), që u zhvillua në Berlin. Atje ai ka ndarë me gazetarët disa pikëpamje për ndryshimin e kursit të diplomacisë europiane, në kushtet kur edhe Trump po i referohet Putinit si "miku im".
I pyetur se cila ishte ndjesia e tij kur sheh Presidentin Putin, Presidentin Xi dhe Presidentin Trump, Rama u shpreh: Përse duhet të kem ndjenja?
“Përsëri, e thash edhe në deklaratën hyrëse se ishte diçka që duhej të ndodhte dhe që më në fund ndodhi, që Europa vendosi të ketë një grup në frontin e parë, i cili do të përfaqësojë Europën në një komunikim të mundshëm me Rusinë, sepse ka qenë një gabim strategjik që nuk e kemi bërë këtë që në fillim. Ose, le të themi, në fillim pati disa komunikime dhe më pas gjithçka u ndërpre dhe tani kjo ka rifilluar, me shpresë, dhe le të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh ai.
Nëse ka një devizë të politikës së jashtme të Shqipërisë, si një vend i vogël që ndjek me sy e veshë lëvizjet e fuqive të mëdha, ajo është "nga të fryjë era".
Kur SHBA dhe BE ishin në një front për të mbështetur Ukrainën, qëndrimi i Ramës ishte në përputhje me erën që frynte atëherë në mbështetje të Zelenskit heroik.
Tani që me Trump po fryjnë erëra të reja dhe SHBA e ka zbutur qëndrimin ndaj Rusisë, edhe Rama ka ndryshuar qëndrim, madje po e kritikon Europën se nuk ruajti një kanal komunikimi me Rusinë.