
Detaje të reja kanë dalë nga goditja me plumb gome e deputetit të PD-së Kliti Hoti. Gazetari i Euronews që raportonte nga terreni tha se në ato momente kishte qenë pranë vendit të ngjarjes dhe kishte parë gjithçka kishte ndodhur. Sipas tij ishte një mospërmbajtje nervash nga ana e efektivit të policisë. Sipas tij, fillimisht kishte pasur një debat verbal mes efektivit në fjalë dhe anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD-së Shyqyri Myrtollari që shoqëronte deputetin Hoti.
Zyrtarët e PD-së kanë kërkuar llogari se pse policia po shoqëronte të rinjtë që protestonin pa asnjë shkak. Fillimisht efektivi tentoi të qëllonte drejt zyrtarit të PD-së Myrtollari, por nuk u lejua nga dy kolegët e tij që e larguan duke e kapur nga krahët. Duke u larguar, efektivi është kthyer në një çast dhe ka qëlluar në drejtim të deputetit të PD-së nga 20-25 metra distancë. Nëse vërtetohet një version i tillë ngjarjesh, atëherë efektivi ka qenë në dijeni që po qëllonte ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë.
Sipas Ligjit për Policinë e Shtetit, punonjësit e policisë lejohen të përdorin forcën fizike ose mjetet e tjera (si shkopi i gomës apo gazi lotsjellës) vetëm kur është e domosdoshme për të rivendosur rendin publik, për të shmangur një rrezik të menjëhershëm ose në kushtet e vetëmbrojtjes. Në rastin konkret nuk ka pasur asnjë rrezik për policin. Forca duhet të jetë gjithmonë në përpjesëtim të drejtë me rrezikun dhe shkallën e kundërshtimit, por është e qartë se efektivi i policisë e ka tejkaluar këtë masë.
Sipas ekspertëve, të kontaktuar nga lapsi.al, rasti në fjalë juridikisht është tentativë vrasjeje. Ajo që mund të hedhë dritë është plani i masave që ka ndërmarrë drejtoria e policisë së Tiranës për ptrë administruar sigurinë në protesta.
Me gjithë kërkimet që bëri lapsi.al, një plan i tillë nuk gjendet online dhe sipas uniformave blu ai është një dokument i brendshëm. Plani i Masave mund të hedhë dritë mbi zinxhirin e urdhrave që ka marrë efektivi për të hapour zjarr ndaj një deputeti të zgjedhur të Kuvendit apo ndaj qytetarëve. Në çdo rast, policia nuk mund të hapë zjarr me plumba gome për të lënduar qytetarët, por vetëm në raste të vetëmbrojtjes. /LAPSI.al
