
Policia ka sekuestruar në Fier një automjet tip “Range Rover” pas një ndjekjeje në zonën e Vlorës, në kuadër të hetimeve për përplasjen e ndodhur sot mes biznesmenëve Vasil Bedinaj dhe Luan Muça.
Makina u ndalua rreth orës 13:00, në Mbikalimin e Memorialit nga shërbimet e Policisë së Fierit. Në drejtimin e tij ndodhej shtetasi kosovar Blerim Heta, 40 vjeç.
Automjeti kishte dëmtime në xhamin e krahut të pasagjerit, që dyshohet se janë shkaktuar nga të shtënat me armë zjarri. Brenda tij u gjetën edhe tre fishekë pistolete.
Një tjetër Range Rover nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar në pikën e kontrollit në Rrethin e Alikokës. Makina ka vijuar lëvizjen në drejtim të Peshkëpisë, por gjatë ndjekjes, në zonën e Urës së Peshkëpisë, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me barrierat mbrojtëse.
Në mjet ndodheshin Luan Muça, 55 vjeç, si drejtues, dhe vëllezërit Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, dhe Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, punonjës të SH.P.S.F. “Swat Security”. Për shkak të aksidentit, Muça dhe Mandrit Lleshaj kanë mbetur të dëmtuar dhe janë dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët kanë gjetur një pistoletë dhe një karikator me 16 fishekë luftarakë, të cilat janë sekuestruar si prova materiale.
Një tjetër episod është regjistruar rreth orës 16:30, në bypass-in e Vlorës, pranë fshatit Kaninë, ku një “Audi A8” është përfshirë nga flakët. Sipas Policisë, automjeti dyshohet se është përdorur nga persona të përfshirë në ngjarje.
Nga hetimet paraprake dyshohet se Luan Muça, së bashku me persona të tjerë, ka shkuar në hotelin në pronësi të biznesmenit Vasil Bedinaj, ku, nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike, i kanë kërkuar 5 milionë euro. Bedinaj dyshohet se është kërcënuar gjithashtu se duhej të largohej nga Shqipëria brenda 48 orëve.
Në vijim të përplasjes, Angjelo Breshani dyshohet se ka marrë armën që Bedinaj e posedonte me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave të tjerë që ndodheshin në zonë.
Në përfundim të veprimeve, Policia ka arrestuar pesë persona: Luan Muçën, 55 vjeç; Klaudio Lleshajn, 29 vjeç; Mandrit Lleshajn, 33 vjeç; Blerim Hetën, 40 vjeç, shtetas kosovar; dhe Angjelo Breshanin, 29 vjeç.
Gjithashtu, 6 persona të tjerë dhe katër automjete janë shpallur në kërkim. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive të secilit person të përfshirë. ©LAPSI.al

