Flash

Përpjekja për manipulim: Pse Rama nuk flet për protestën, por për protestuesit?

Lapsi.al 23 June 2026

Prej 31 majit, mijëra protestues mblidhen çdo natë poshtë zyrës së kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë dhe këndojnë në kor: “Rama jepe dorëheqjen”.

Protesta mori shkas nga episodi i dhunshëm i ndodhur në Zvërnec më 30 maj, ku një protestues u tërhoq zvarrë nga rojet private brenda një rrethimi me tela me gjemba në zonën e mbrojtur ku planifikohet të ndërtohet një kompleks rezidencial i lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan, Jared Kushner, por u shndërrua shpejt në një lëvizje anti-estabilishment.

Prej tre javësh, lëvizja e njohur tashmë si “Revolucioni i Flamingove” kërkon jo vetëm dorëheqjen e kryeministrit, por edhe anulimin e projektit dhe ndryshimet ligjore të vitit 2024 për zonat e mbrojtura si dhe ndryshimin e klasës së vjetër politike të dominuar nga dyshja Rama- Berisha.

Kryeministri Edi Rama e ka zhvlerësuar në vazhdimësi zhgënjimin popullor ndaj qeverisjes së tij, duke u përpjekur të gjejë “armiq të jashtëm” dhe “të brendshëm” për nxitjen e protestave – nga shtete armiqësore si Irani e deri tek influencerat lokalë. Në një fjalim të gjatë përpara grupit parlamentar të Partisë Socialiste të shtunën, Rama e shpjegoi revoltën popullore me atë që ai e quajti “proletariati i algoritmit”, ndërsa përjashtoi çdo mundësi për një largim të mundshëm të tij me dorëheqje.

Ekspertët e komunikimit e shpjegojnë sjelljen e Ramës ndaj protestës maratonë me manualin e njohur të propagandës, që synon shmangien nga faktet dhe delegjitimimin e aktorëve të protestës.

Sipas pedagogut të Shkencave të Komunikimit, Artan Fuga, kjo nuk është një zgjedhje e rastësishme.

“Kryeministri dhe çdo qeveri apo çdo pushtet në raste krizash sociale dhe tensionesh politike, siç janë protestat, është i detyruar të komunikojë dhe komunikon në dy dimensione: dimensioni politik, racional, ku hyn në përmbajtje të çështjes me argumenta dhe dialog dhe dimensioni i marrëdhënieve publike dhe mjeteve të propagandës, jo të mbështetura në përmbajtje dhe dialog,” shpjegoi Fuga, duke theksuar se Rama zgjodhi këtë të dytën.

Fuga i shpjegon arsyet e kësaj strategjie komunikimi me situatën e paparashikueshme, kulturën politike dhe nevojën e kryeministrit për të mohuar fakte që janë të dukshme.

“Protesta e papritur i theu mitin që ai kishte në kontroll gjithçka dhe kur diçka vjen e papritur, e e ke shumë më lehtë  të përdorësh teknikën e propagandës, sepse çdo racionalizim e justifikon tjetrin,” theksoi ai.

Edhe gazetari Lutfi Dervishi e vendos theksin te ndryshimi dramatik i retorikës së kryeministrit, që sipas tij, synon që të ndikojë “mbështetësit e qeverisë, të pavendosurit dhe administratën”.

“Kemi një zhvendosje tipike te debatit nga ‘çfarë po thuhet’ te ‘kush po e thotë,” tha Dervishi, ndërsa shtoi se kur fokusi kalon nga shqetësimet e ngritura te identiteti, motivet apo lidhjet e protestuesve, vëmendja largohet nga thelbi i pakënaqësisë dhe përqendrohet te legjitimiteti i bartësve të saj.

Kjo, sipas tij, “është një strategji e njohur që synon të fragmentojë mbështetjen publike për protestën dhe të mbjellë dyshime mbi përfaqësueshmërinë e saj”.

Sipas profesor Fugës, kryeministri përdori të paktën tre elementë teknikë të propagandës që synonin zhvendosjen e vëmendjes nga thelbi i protestës; elementë që ai i përmbledh në mohimin e realitetit; karikaturizimin e protestës dhe reduktimin e saj – siç e quan ai “pelikanizimin”.

Propaganda gjithashtu u përdor si mënyrë për të mohuar faktet.

“S’mund të thuash s’ka projekt kur atje kanë filluar punimet…,”shton më tej Fuga.

Ndërsa pretendimet për përdorimin e ‘komploteve’ të jashtme e të brendshme lidhen, sipas profesor Fugës, me tentativën për të kërkuar mbështetje ndërkombëtare.

“Duke thënë pra se nëse në botë ka ekstremizma kundër Izraelit, apo kundër botës së financave, kjo po më ndodh mua sot. Dhe ai u viktimizua, e kërkoi si aleancë sikur po goditet familja Trump,” theksoi ai.

Përpjekja për polarizim 

Në refuzimin për të reflektuar ndaj kërkesave të protestuesve, kryeministri Edi Rama shpesh përdor si mbrojtje 83 mandatet dhe ‘shumicën e shqiptarëve’ që e mbështesin atë dhe vizionin e tij për projektet turistike në bregdet. Në anën tjetër, ai përdor metodën klasike të komunikimit publik, duke mos folur për mesazhin, por për mesazhierin.

Kjo sipas Adri Nurellarit, ekspert i komunikimit politik, nuk është një metodë e re në politikën shqiptare.

“Sot repertori ka ndryshuar, por logjika mbetet e njëjtë. Në vend të çadrave me thika kemi ‘agjentë rusë’, ‘iranianë’, ‘serbë’, ‘grekë’, ‘marksistë’, ‘antiamerikanë’, ‘antisemitë’, ‘antibiznes’ dhe çdo etiketë tjetër që mund të shërbejë për të zhvendosur vëmendjen nga çështjet e ngritura,” tha Nurellari.

Sipas tij, ky diskurs kërkon të zhvendosë energjinë e debatit nga temat e korrupsionit, kriminalizimit, kapjes së shtetit, shkatërrimit të trashëgimisë,emigrimit, apo problemet e tjera të ngritura nga protestuesit tek pyetja “Kush janë këta?” dhe jo “A kanë të drejtë?”.

“Nga ana psikologjike, qëllimi kryesor nuk është domosdoshmërisht të bindësh shumicën e qytetarëve se protestuesit janë vërtet agjentë të huaj apo ekstremistë. Mjafton të krijosh mjegull, dyshim dhe konfuzion,” shtoi më tej ai.

Një element tjetër interesant i këtij manuali komunikimi, sipas tij, është dhe anti-mitingu për të zhvendosur mesazhin ‘a ka të drejtë protesta’ tek ‘në cilin kamp je?’.

“Kështu krijohet narrativa e dy Shqipërive: Shqipëria jonë kundër Shqipërisë së tyre,  progresistët kundër reaksionarëve, shumica kundër pakicës,” thotë Nurellari, duke vlerësuar se kjo është një teknikë klasike polarizimi, sepse sa më shumë debati të zhvillohet si përplasje identitetesh, aq më pak flitet për çështjet konkrete që e kanë prodhuar pakënaqësinë.

Ndërsa Nurellari mendon se Rama me narrativën e tij po synon polarizimin e shoqërisë, Fuga dhe Dervishi ndahen në analizën e tyre.

Për Lutfi Dervishin, kjo strategji e ndjekur nga Rama ka limitet e veta para një proteste që vijon dhe bëhet më e madhe.

“Nëse protesta do të ishte e vogël, e paqartë ose e varur nga pak figura publike, sulmet ndaj individëve mund të ishin efektive, por kur kemi të bëjmë me një lëvizje të gjerë, pa lider të qartë dhe me pjesëmarrje të larmishme, sulmet personale shpesh nuk e zgjidhin problemin e perceptuar nga publiku, përkundrazi, ato mund të forcojnë bindjen se pushteti po merret me lajmësin dhe jo me lajmin,” thotë ai.

Paradoksi, sipas Dervishit, është se sa më shumë zgjat një protestë pa incidente dhe me pjesëmarrje të qëndrueshme, aq më pak efektive bëhen etiketimet, duke e kthyer debatin aty ku nisi: te arsyet e protestës, jo te identiteti i protestuesve.

Ndërkohë, Fuga thotë se narrativa e propagandës së kryeministrit i ka dhënë atij disa pikë, që lidhen me mbajtjen e protestës në plan emocional, neutralizimin e kritikave ndaj tij dhe ruajtjen e lidhjes me elektoratin e vet.

“Është më kollaj ta mbash unitetin me elektoratin duke i thirrur gjuhës së trupit dhe propagandës, sesa gjuhës së arsyetimit për të dhënë argumente, që shpeshherë janë të sforcuara,” përfundoi ai. /B.Gjoka Birn 

Të këshilluara

ide

Si të shndërrohet protesta në lëvizje

Mungesa në shoqërinë shqiptare e një lëvizje shpërndërruese për sistemin politik dhe kulturor të këtyre 35 vjetëve, neoliberal neokolonialisht: ky është problemi më i madh që kemi

10:06 Rudian Zekthi

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

MOTI TIRANA

33°c

KËMBIMI EURO

94.26

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI