
Informacionet nga SPAK për dosjen më të re "Zvërneci" janë të pakta, por tashmë është e konfirmuar se kryeministri Edi Rama ndërhyri brutalisht në këtë dosje duke detyruar prokurorin e çështjes, Altin Dumanin të tërhiqet nga bllokimi i llogarive bankare të dy investitorëve sirianë, miq të Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump.
Ende pa iu tharë boja firmës së prokurorit në dosje, Rama këmbënguli gjatë një konference me Antonio Kostën se burimi i fondeve të arabëve që investojnë në Zvërnec ishte verifikuar nga strukturat shtetërore kundër pastrimit të parave dhe nuk ishte nevoja që SPAK të ndërhyjë deri tek ata.
"...janë investiguar si të gjithë rastet e tjera, por në këtë rast edhe më imtësisht nga Agjencia jonë e Pastrimit të Parave që nuk është një agjenci që vepron si një ishull, por është një agjenci që vepron në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe kanë rezultuar totalisht, totalisht legale dhe të ardhura nga institucione financiare me reputacion global" deklaroi Rama, gjatë konferencës me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Kosta.
Rama shtoi se hetimi për origjinën e pronës është i mirëpritur, por investitorët nuk duhet të identifikohen me konfliktin mbi tokën.
Deklarata e tij erdhi në një moment kur Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë disa veprime konkrete hetimore në dosjen e Zvërnecit.
SPAK kishte vendosur më herët sekuestro mbi llogaritë bankare të kompanisë Albania Land Development, shoqëria që zotëron aktualisht pronat ku planifikohet zhvillimi i projektit turistik. Gjithashtu, një nga administratorët e kompanisë, Redi Struga, i konsideruar si ndërmjetësi kryesor me investitorët nga Katari, ishte marrë në pyetje dhe i ishte nënshtruar kontrollit nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në qendër të hetimeve është skema e dyshuar e tjetërsimit të pronave në zonën bregdetare të Zvërnecit, siç ishte përfolur tashmë prej vitesh. SPAK po verifikon mënyrën se si kanë kaluar pronat nga zotëruesit fillestarë tek kompani dhe individë të ndryshëm, para se të përfundonin tek investitorët aktualë.
Mes personave që po verifikohen është edhe Artur Shehu, rezident në Shtetet e Bashkuara, për të cilin ekzistojnë dyshime paraprake se mund të ketë pasur rol drejtues në skemën e pretenduar të tjetërsimit të pronave.
Dokumentet që disponon Lapsi.al tregojnë se pronat objekt zhvillimi zotërohen sot nga kompania Albania Land Development. Sipas Regjistrit të Pronarit Përfitues, kontrolli final i kompanisë ushtrohet nga dy shtetas të Katarit, Mohamad Moataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat, të cilët zotërojnë secili nga 50% të interesave përfituese përmes një rrjeti kompanish holding. Ortaku i vetëm i Albania Land Development rezulton të jetë Sazan Land Holding LLC.
Sipas burimeve të hetimit, Albania Land Development nuk ka qenë pronarja fillestare e tokave. Kompania ka blerë parcelat nga zotërues të tjerë, mes tyre edhe shoqëria “SERE”, duke vepruar si hallka që ka lidhur investitorët nga Katari me pronat në zonën e Zvërnecit.
Por çfarë e detyroi Ramën sot të bëjë një deklaratë të paprecendtë duke diktuar publikisht hetimin e SPAK? Gjasat janë që jehona e shtuar në mediat ndërkombëtare për dëmet mjedisore, protestat në Tiranë dhe në Zvërnec dhe tani futja e prokurorëve të SPAK në lojë, mund t'i detyronte investitorët ndërkombëtarë të tërhiqen.
Prej ditësh, Rama përmend ndikimin që mund të kenë shkrimet në mediat e huaja për Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump që me përfshirjen në biznese në Serbi dhe Shqipëri provokoi kuriozitetin e demokratëve në kongresin amerikan.
Jo më kot, kryeministri lëshoi disa deklarata që brenda pak orësh u shndërruan në urdhër për Alti Dumanin, se investitorët aktualë nuk duhet të konsideroheshin pjesë e skemës shqiptare të manipulimit me pronat, pasi sipas tij ata kishin hyrë në transaksione në mënyrë të ligjshme dhe me fonde të verifikuara.
“Investitorët janë tërësisht në të drejtën e tyre, bllokimi i transaksionit nga ana e tyre është tërësisht arbitrar dhe negativ”, deklaroi kryeministri, duke lënë të paqartë këtë të dhënë thelbësore, nëse paratë e vëllezërve sirianë janë bllokuar apo jo.
Pavarësisht kësaj, veprimet e SPAK-ut kanë krijuar pikëpyetje mbi ecurinë e projektit.
Formalisht, sekuestroja e llogarive bankare nuk përbënte ndalim të projektit dhe nuk prekte automatikisht pronësinë e investitorëve mbi tokën. Por praktikisht, ngrirja e llogarive të kompanisë që zotëron pronat dhe administron projektin mund të vështirësonte pagesat, kontratat, financimet dhe veprimet e nevojshme për vijimin normal të investimit.
Për këtë arsye, edhe pse SPAK nuk kishte shpallur ndonjë masë që ndalon projektin turistik në Zvërnec, hetimi ka krijuar një situatë pasigurie juridike që mund të ndikojë drejtpërdrejt në ritmin dhe realizimin e tij.
Ajo qe nuk kuptohet deri tani është pikëpyetja nëse hetimi është një hap fiktiv, që bëhet sa për të shuar pakënaqësitë për vjedhjen e pronave apo nëse kjo dosje është jashtë kontrollit të Edi Ramës dhe mund të shndërtohet në një dhimbje koke për kryeministrin.
Në fakt, me deklaratat e tij, Rama e zhbllokoi menjëherë investimin, kur paralajmëroi se identifikimi i investitorëve me konfliktin mbi pronësinë mund të dëmtojë jo vetëm projektin, por edhe reputacionin e Shqipërisë si vend pritës për investime të huaja./Lapsi.al
