Flash

Një polic i vrarë dhe një i plagosur/ Si dështoi operacioni për kapjen e Violand Braçellarit

Tragjedia në Lozhan la pas një polic të vrarë dhe shumë pikëpyetje mbi dënimin e pavuajtur të autorit.

Lapsi.al 4 June 2026

Një operacion policor për arrestimin e një të kërkuari përfundoi në tragjedi mëngjesin e së enjtes në Lozhan të Maliqit. Efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, 34 vjeç, mbeti i vrarë, ndërsa kolegu i tij Edison Adri, 36 vjeç, u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit me Violand Braçellarin, një person i dënuar për trafik droge që fshihej prej kohësh në zonë.

Një polic i vrarë dhe një i plagosur/ Si dështoi operacioni
Enea Mekolli, efektivi i policisë i cili mbeti i vrarë në krye të detyrës

 

Ngjarja ndodhi rreth orës 07:30 të mëngjesit në malin Boden, ku policia kishte gjetur stanin ku qëndronte Braçellari. Efektivët rrethuan vendin dhe i kërkuan të dorëzohej. Por 43-vjeçari nuk pranoi. Në vend të kësaj, ai hapi zjarr ndaj policëve.

Një polic i vrarë dhe një i plagosur/ Si dështoi operacioni
Violand Braçellari, autori i vrasjes së policit në Maliq

Plumbat goditën për vdekje Enea Mekollin, ndërsa plagosën në nofull kolegun e tij Edison Adri. Polici i plagosur u dërgua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia iu përgjigj zjarrit dhe plagosi Braçellarin në pjesën e barkut. Ai u arrestua në vendngjarje dhe u dërgua fillimisht në spitalin e Korçës për të marrë ndihmën e parë mjekësore.

Autori nuk ishte një emër i panjohur për policinë dhe drejtësinë. Violand Braçellari konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë dhe me precedentë të shumtë kriminalë. Ai ishte dënuar në vitin 2017 nga Gjykata e Korçës me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për prodhim dhe trafik narkotikësh. Dënimi u la në fuqi më pas nga Apeli dhe në fund edhe nga Gjykata e Lartë, me vendimin e janarit 2024.

Historia që çoi në arrestimin e tij nis që në vitin 2015. Gjatë një operacioni policor në zonën e quajtur “Çezma e Senishtit”, policia ndaloi automjetin ku udhëtonte Braçellari me dy persona të tjerë. Në makinë u gjetën qese plastike dhe doreza kirurgjikale, ndërsa kontrolli i telefonit celular nxori fotografi dhe video që, sipas hetuesve, tregonin parcela me kanabis, transportimin dhe përpunimin e lëndës narkotike.

Përgjimet telefonike të administruara në dosje tregonin biseda për tharjen dhe transportimin e drogës me persona të regjistruar në telefon si “Sandri” dhe “Toni”. Më pas, gjatë kontrollit në një banesë që përdorej prej tij në Lozhan të Sipërm, policia gjeti mbetje të bimës narkotike cannabis sativa.

Megjithatë, pavarësisht se dënimi ndaj tij u bë i formës së prerë, mbetet ende e paqartë se si Braçellari nuk po vuante dënimin dhe si arriti të qëndronte i lirë deri në ditën e operacionit ku u vra një efektiv policie.

Problemet e tij me drejtësinë nuk mbaruan me dosjen e drogës. Në vitin 2024 ai u mor i pandehur nga Prokuroria e Korçës për “plagosje të lehtë me dashje”, ndërsa në janar 2026 gjykata urdhëroi njoftimin e tij për një seancë gjyqësore pasi nuk u gjet në adresën e banimit në Lozhan./Lapsi.al

Njoftimi zyrtar i Policisë

Humbet jetën në krye të detyrës, 1 punonjës policie, si dhe plagoset një tjetër punonjës policie,  nga sulmi me armë zjarri nga një person i kërkuar i cili u neutralizua dhe u plagos gjatë  shkëmbimit të zjarrit gjatë një operacioni për kapjen e tij.

Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një personi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe të Komisariatit të Policisë Korçë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq.

Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë).

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.

Në drejtim të vendit të ngjarjes është nisur helikopteri i shëndetësisë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës Policie dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës i Policisë.

Të këshilluara

Opinion në “EuObserver”: Si Shqipëria po shitet copa-copa për miliarderët

Shqipëria po bëhet tashmë e papërballueshme për shumë nga qytetarët e saj gjatë muajve të verës. Zona të tëra bregdetare u drejtohen gjithnjë e më shumë investitorëve të huaj, turizmit luksoz dhe tregjeve spekulative të pasurive të paluajtshme. Ajo që dikur ishte një hapësirë ​​e përbashkët natyrore rrezikon të shndërrohet në një peizazh të privatizuar për multimilionerët.

22:37

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI