
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka avancuar procesin e kalimit të tokës bujqësore nga përdorimi në pronësi në fshatrat Shetel dhe Shahinaj, në Njësinë Administrative Gjepalaj, Bashkia Shijak, duke i hapur rrugë pajisjes së banorëve me dokumentin e pronësisë.
Në këto dy fshatra bëhet fjalë për rreth 522 hektarë tokë bujqësore, të ndarë në afro 1,300 parcela, të cilat janë në proces trajtimi nga strukturat e Kadastrës. Për të ndjekur nga afër këtë proces në zonë ishte e pranishme edhe drejtoresha e Përgjithshme e ASHK, Lorena Goxhobelli.
Për 630 parcela janë përgatitur tashmë vendimet, të cilat do të afishohen për një periudhë 30-ditore pranë Njësisë Administrative Gjepalaj. Gjatë kësaj periudhe, banorët do të kenë mundësinë të verifikojnë emrin, parcelën dhe të dhënat e tjera përkatëse. Pas përfundimit të afishimit, vendimet do t’i kalojnë për miratim Këshillit Bashkiak.
Procesi nuk është i kufizuar vetëm në Shijak. Paralelisht ASHK vijon punën për kalimin e tokës bujqësore nga përdorimi në pronësi në 59 fshatra në të gjithë vendin, duke përfshirë zona në Durrës, Vlorë, Has, Tropojë, Kukës, Dibër, Korçë, Lezhë, Berat, Shkodër, Elbasan, Fier dhe qarqe të tjera.
Në Orikum ndërkohë kanë nisur matjet në terren për 261 kërkesa, ndërsa puna vijon edhe në Cahan të Hasit, Fierzë të Tropojës, Shtiqen të Kukësit dhe Zalldardhë të Dibrës. Në Dibër, procesi është shtrirë në njësitë administrative Zall Dardhë dhe Derjan, ku përfshihen 15 fshatra.
Deri më tani janë kaluar përmes vendimeve të miratuara rreth 107 hektarë tokë, ndërsa vetëm kërkesat që janë aktualisht në proces pune përfshijnë rreth 300 hektarë tokë bujqësore, që pritet t’u kalojë në pronësi përdoruesve të saj.
Procesi kërkon verifikime dhe matje në terren, administrimin e dokumentacionit dhe bashkëpunimin me njësitë e qeverisjes vendore. Për këtë, Kadastra u bën thirrje banorëve të bashkëpunojnë me ekipet që janë në terren dhe të jenë të pranishëm kur nis puna në zonat e tyre.
Po ashtu, banorëve u kërkohet që gjatë periudhës së afishimit të vendimeve të kontrollojnë emrin, parcelën dhe të dhënat e tjera, në mënyrë që çdo pasaktësi eventuale të konstatohet në kohë.
Synimi i këtij procesi është përfundimi i procedurave të kalimit të tokës bujqësore nga përdorimi në pronësi dhe pajisja me dokumentacion pronësie e familjeve që e kanë përdorur prej vitesh këtë tokë.