
Vazhdon ngërçi në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për procesin e garës për Prokuror të Përgjithshëm. Një tjetër kandidate ka kërkuar dorëheqjen nga ky proces të një anëtari të KLP-së. Sipas burimeve, kandidatja Arta Marku, që shfaq për herë të dytë dëshirën për të konkurruar për postin e Prokurores së Përgjithshme, ka kërkuar dorëheqjen e anëtarit të KLP-së, Sokol Stojani.
Arsyetimi i prokurores Marku është se ka konflikt interesi dhe se, sipas saj, Stojani nuk do ta vlerësojë pa emocione emrin e saj në garë, pasi kur ka qenë Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, ajo ka larguar nga posti i drejtorit të hetimit, në atë kohë, zotin Sokol Stojani.Më herët janë kërkuar edhe dorëheqje të tjera të anëtarëve nga vetë anëtarët e KLP-së, duke e futur procesin në një parodi, pasi, teksa kanë kaluar afatet për t’ia përcjellë ILDKPKI-së formularët e kandidatëve, Këshilli ende nuk ka zgjidhur problemet e brendshme.