
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) do të ndalojë aplikimin e klauzolave të ndryshimit të tarifave, të shprehura në përqindje, në kontratat e operatorëve të komunikimeve elektronike.
Projekt-rregullorja për “Mbrojtjen e konsumatorëve dhe pajtimtarëve të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike” parashikon se informacioni kontraktor në lidhje me çmimin, duhet të përfshijë në mënyrë të dukshme dhe të qartë dhe tarifën e pajtimit mujor, duke përfshirë çdo ndryshim të parashikuar të tarifës së pajtimit mujor që konsumatori do të paguajë gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës me afat të caktuar, të shprehura në Lekë me TVSH. Në këtë pikë, nuk do të lejohen ndryshimet e deklaruara në përqindje.
Një risi tjetër e projekt-rregullores është edhe detyrimi i sipërmarrësit që përpara lidhjes së kontratës t’i vendosin në dispozicion pajtimtarit të kategorisë “Konsumator” përmbledhjen e kontratës, pa pagesë.
Informacioni për çmimin në përmbledhjen e kontratës duhet të përfshijë edhe informacionin e referuar për tarifën e pajtimit mujor, përfshirë çdo “ndryshim të parashikuar të tarifës së pajtimit mujor” që konsumatori do të paguajë gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës me afat të caktuar ose periudhës së angazhimit kontraktual, të shprehura në Lekë me TVSH.
Përmbledhja e kontratës synon rritjen e transparencës, me qëllim që konsumatori të jetë i qartë për termat kryesorë të kontratës që do të nënshkruajë, duke pasur parasysh që kontratat e plota mund të jenë relativisht të gjata, të detajuara dhe konsumatori mund të mos jetë plotësisht i vëmendshëm në të gjithë elementët e përfshirë në to.
Ndalimi i parashikimeve për rritjen e tarifave në përqindje nuk do t’u lejojë më operatorëve të komunikimeve elektronike të përfshijnë në kontratat e tyre të ashtuquajturën klauzolë indeksimi me inflacionin.
Dy operatorët më të mëdhenj të komunikimeve elektronike në vend, Vodafone Albania dhe One Albania, parashikojnë në termat dhe kushtet e përgjithshme për shërbimet e rrjetit celular dhe rrjetit fiks të kategorive “Konsumator” dhe “Biznes” një klauzolë të veçantë, ku rezervonin të drejtën për të indeksuar çmimet e shërbimeve të tyre me normën e inflacionit të vitit të mëparshëm.
Megjithatë, deri tani, vetëm njëri nga operatorët ka aplikuar rritje e çmimesh sipas kësaj klauzole. Për herë të parë, kjo u bë më datë 1 qershor 2024 dhe vetëm për pajtimtarët e kategorisë “Biznes”, ndërsa duke filluar nga 1 maji 2026 indeksimi u aplikua në të gjithë bazën e klientëve të shërbimeve celulare.
AKEP ndjek praktikën e rregullatorit britanik
Përcaktimi i klauzolave që u lejojnë operatorëve të indeksojnë automatikisht tarifat e produkteve dhe shërbimeve me inflacionin ngelet çështje objekt diskutimesh edhe në Bashkimin Europian, por, deri tani, kuadri ligjor nuk e ndalon aplikimin e klauzolave të tilla.
Megjithatë, Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike (BEREC), në vitin 2024 e ka konsideruar përfshirjen dhe aplikimin nga operatorët në vendet të klauzolave kontraktore për rritje të çmimeve gjatë kohëzgjatjes së kontratës (In-contract price increase clauses) sipas IÇK apo IÇK plus një marzh, si “zhvillim me ndikim shqetësues për të drejtat dhe përfitimet e përdoruesve fundorë, pasi në disa raste ato kanë rezultuar në rritje të ndjeshme të tarifave dhe përdoruesit nuk kanë të drejtën e ndërprerjes pa penalitet të kontratës”.
Opinioni dhe propozimi i BEREC për Komisionin Europian për këtë çështje është se “këto klauzola paraqesin sfida për sa i përket konkurrencës, përballueshmërisë, lëvizshmërisë (ndërrimit të ofruesit së shërbimit) së përdoruesit fundor, transparencës dhe krahasueshmërisë së çmimeve. Përdorimi i tyre krijon rrezik që objektivat e kuadrit ligjor për mbrojtjen e konsumatorëve të mos përmbushen”.
Komisioni Europian deri më sot nuk ka shprehur një qëndrim përfundimtar lidhur me rekomandimin e BEREC.
Megjithatë, një rregullim i ndryshëm ligjor ekziston në Britaninë e Madhe. Autoriteti britanik i komunikimeve elektronike (OFCOM) në vitin 2024 vendosi ndryshime në kuadrin rregullator, të cilat e ndalojnë aplikimin e rritjes së tarifave të shprehura në përqindje (IÇK). Çdo rritje e parashikuar çmimesh gjatë kohëzgjatjes së kontratës duhet të shprehet në terma monetare.
AKEP ka vendosur të ndjekë të njëjtën linjë me OFCOM, duke kërkuar që rritja e parashikuar e çmimeve gjatë afatit të kontratës së shprehet detyrimisht në vlerë. / E.Shehu