
Java e 7-të i dhuron një tjetër fitore Interit, që arrin të përmbysë Bolognën pas një tjetër nisjeje tronditëse të ndeshjes dhe triumfon 3-1. Zikaltrit nuk e nisin takimin në mënyrën më të mirë, mungesa e Lautaros ndihet dhe Bologna përfiton nga kjo situatë. Piccoli (i cili pëson një dëmtim rreth minutës së 30-të) i afrohet golit pas vetëm 18 sekondash, Barella përgjigjet, por nuk gjen portën, ndërsa Luis Henrique zhgënjen sërish në krahun e djathtë.
Në minutën e 18’ zhbllokohet rezultati dhe është Bologna që shënon: një goditje e fuqishme e Pobega, ndaj së cilës Martinez nuk arrin të reagojë për shkak të një pozicionimi aspak të mirë. Goli i pësuar zgjon Interin, i cili, pasi rrezikon nga aksionet e shpejta nga Cambiaghi dhe Bernardeschi, hidhet me të gjitha forcat në sulm. Kundërsulmet e skuadrës kuqeblu janë të rrezikshme e Pobega godet traversën, por në minutën e 44’ vjen barazimi: Barella kroson dhe gjen Thuram, i cili shënon me kokë për 1-1.
Në pjesën e dytë ritmi bie, pavarësisht zëvendësimeve. Lëvizja vendimtare e teknikut Chivu quhet Carlos Augusto, i cili hyn në fushë në minutën e 69’ dhe shënon golin e përmbysjes vetëm një minutë më vonë. Interi, që më herët i ishte afruar golit me Sucic, kalon kështu në avantazh 2-1 falë goditjes së brazilianit nga shumë pranë portës. Bonny pa ti anulohet një gol në minutën e 80’, por ai e mbyll ndeshjen tre minuta më vonë me një goditje të saktë nga fare pranë portës. Carlos Augusto bëhet sërish i rëndësishëm me asistin e tij dhe Interi fiton 3-1, duke përmbysur një Bologna që luftoi me guxim. Këtë herë, zikaltrit thyejnë tabunë ndaj skuadrës kuqeblu dhe ngjiten në kuotën e 19 pikëve: për momentin kanë tri pikë më shumë se Lazio, e cila do të përballet me Juventus. Bologna, nga ana tjetër, mbetet në kuotën e pesë pikëve.
VENEZIA 1-0 NAPOLI
Napoli humbet sërish, këtë herë në stadiumin “Penzo”, përballë një Venezias të motivuar nga ndryshimi në pankinë. Pikët e para të skuadrës portokalli-jeshile në këtë kampionat i siguron Akor Adams në fillim të pjesës së dytë, duke përfituar me zgjuarsi nga një pasiguri e Amir Rrahmanit. Skuadra e Allegrit ka gjithashtu një mundësi nga pika e bardhë e penalltisë, por De Bruyne ndalet nga një Stankovic i shkëlqyer në minutat e fundit. Nicola konfirmon se mbetet i pamposhtur kur merr drejtimin e një skuadre gjatë sezonit. Në pjesën e parë pothuajse nuk ndodh asgjë. Sinjalin e parë e japin vendasit, me Adamsin që lufton për topin dhe fiton një duel pas një devijimi me Badiashile, por godet drejt e në duart e Meretit. Zotërimi i topit nga Napoli është steril dhe, në fakt, rasti i parë i vërtetë vjen nga një goditje standarde, por gjuajtja e Amir Rrahmanit shpëtohet mbi vijën e portës nga Haps. Skuadra e Allegrit mund të krijojë një tjetër rast të madh, por pas krosimit të ulët të McTominay, Lucca nuk arrin ta prekë topin në mënyrë të pabesueshme. Kështu, pjesa e parë përfundon 0-0, me një ritëm që nuk ishte veçanërisht i lartë në asnjë moment.
Pjesa e dytë nis menjëherë me avantazhin e Venezias. Pas një pasimi të gjatë nga Sohm, Adams fiton duelin me Amir Rrahmanin, i cili devijon edhe goditjen e tij drejt portës, duke e nxjerrë Meretin jashtë loje. Në minutën e 66', sulmuesi nigerian mund të shënojë sërish dhe të mbyllë ndeshjen, por gjatë një kundërsulmi nuk e pason topin te Albion Rrahmani, i cili ishte krejtësisht i lirë, dhe gjuan mbi traversë. Kalojnë vetëm pak sekonda dhe Napoli ka mundësinë e madhe për të barazuar: Moreno rrëzon Hojlundin brenda zonës, por nga pika e bardhë De Bruyne mposhtet psikologjikisht nga Stankovic, i cili pret penalltinë. Në këtë pikë, skuadra e teknikut Allegri hidhet e gjitha në sulm, duke u ekspozuar ndaj kundërsulmeve të kundërshtarit. Në minutën e 70', Adams i pason topin Albion Rrahmanit, por ky i fundit godet dobët. Në 15 minutat e fundit, protagonisti është Stankovic. Fillimisht, ai kryen dy dalje vendimtare përballë Hojlund dhe më pas realizon një pritje të mrekullueshme ndaj një goditjeje me hark nga Lobotka. Në fund, portieri i skuadrës lagunare konfirmohet i sigurt dhe nuk lejon të kalojë asnjë top. Venezia siguron tri pikët e para në kampionat, ndërsa Nicola konfirmon se mbetet i pamposhtur kur merr drejtimin e një skuadre gjatë sezonit: në karrierën e tij ka regjistruar katër fitore dhe dy barazime në këto rrethana. Për Allegrin dhe Napolin e tij, kjo është humbja e tretë në shtatë ndeshje kampionati, ndërsa në total bëhet fjalë për humbjen e pestë në nëntë ndeshje të luajtura këtë sezon.
Venezia [1]-0 Napoli — Venezia: Akor Adams 49’ | Serie A — Jornada 7
by u/Evangelista_503 in Evangelista_TV