
Ligjvënësit evropianë po bëjnë thirrje për një hetim ndaj kompanisë META pas pezullimit masiv të llogarive që postonin rreth protestave antiqeveritare në Shqipëri, në atë që vëzhguesit e besojnë se është një sulm i koordinuar.
"Ajo që ndodhi në Shqipëri është e barabartë me censurën", - tha eurodeputetja Alexandra Geese në një deklaratë. Ajo është një nga më shumë se 30 anëtarët e Parlamentit Evropian që nënshkruan një letër duke i kërkuar Komisionit Evropian të hetojë nëse veprimet e META ishin në përputhje me Aktin e Shërbimeve Dixhitale të BE-së.
"Kuptimi i Mark Zuckerberg për 'lirinë e fjalës' duket se mbulon vetëm mendimet që përputhen me axhendën politike të administratës Trump. Pikërisht për këtë arsye kemi rregulla evropiane", - shtoi ajo.
Protestat e “Revolucionit Flamingo”, të nxitura fillimisht nga zhvillimi i një resorti luksoz të lidhur me Ivanka Trump dhe Jared Kushner, janë mbajtur çdo ditë në kryeqytetin shqiptar për më shumë se 3 muaj, duke kërkuar ndryshime në ligjin që lejon zhvillimin në tokë të mbrojtur, si dhe dorëheqjen e kryeministrit të vendit. Pezullimet e llogarive të META-s pothuajse të gjitha duket se janë rezultat i ankesave për të drejtat e autorit dhe duket se kanë filluar në fund të gushtit.
Një grup OJQ-sh që heton pezullimet e Meta-s i tha WIRED se ka prova që “tregojnë fuqimisht se një aktivitet i koordinuar” ka çuar në pezullimin.
“Ajo që e dalloi shpejt këtë nga moderimi i zakonshëm i përmbajtjes ishte përqendrimi i rasteve rreth të njëjtës lëvizje politike dhe qytetare”, - thotë Martha Dimitratou, themeluese e Repro Uncensored, një organizatë jofitimprurëse që gjurmon censurën dixhitale. Në të paktën një rast, ankesa çoi te dikush që pretendoi se ishte paguar për të bërë raportimin.
Dimitratou i tha ËIRED se kishin verifikuar rreth 100 raste të kufizimeve të llogarive të lidhura me protestat. “Ne vazhdojmë të marrim raporte shtesë dhe, bazuar në vëllimin dhe modelet që po shohim, vlerësojmë se numri i vërtetë mund të jetë disa qindra”, thotë ajo.
“Ne gjithashtu identifikuam se postime të shumta në një llogari merrnin raportime për të drejtat e autorit, shpesh 5 deri në 10 në një periudhë relativisht të shkurtër, të ndjekura nga përshkallëzimi i zbatimit dhe, në disa raste, çaktivizimi i të gjithë llogarisë”, - thotë Dimitratou. “Të marra së bashku, raportimi i supozuar me pagesë, sekuenca e përsëritur e ankesave për të drejtat e autorit e ndjekura nga zbatimi i llogarisë, përqendrimi i objektivave rreth të njëjtës lëvizje dhe shënjestrimi i përsëritur i llogarive zëvendësuese tregojnë fuqimisht aktivitet të koordinuar”, - shtoi Dimitratou.
Repro Uncensored zbuloi se pothuajse të gjitha llogaritë e prekura dukeshin se ishin shënjestruar me raporte për shkelje të të drejtave të autorit. Në të paktën 70 raste, grupi konfirmoi heqjen e postimeve dhe videove rreth protestave, kufizimeve të llogarisë dhe humbjes së veçorive të bashkëpunimit.
“Në tërësi, llogaritë e shënjestruara arrijnë miliona njerëz, që do të thotë se kur ato kufizohen ose hiqen, miliona mund të humbasin qasjen në lajme, informacion politik, dokumentacion proteste dhe zëra qytetarë në të cilët mbështeten”, - thotë Dimitratou.
Një protestues i tha WIRED se personi që raportoi llogarinë e tij i tha se ishte paguar për të kryer sulmin. Më 20 gusht, Arjan Koçi filloi të merrte një fluks emailesh nga META. "Dikush po pretendonte se unë kisha marrë punën e tij dhe e kisha publikuar si timen. Por ishte videoja ime, zëri im, fotografia ime", - thotë Koçi, një shqiptaro-britanik i cili kishte dokumentuar protestën në llogarinë e tij në Instagram që nga qershori.
Pamjet ajrore të Koçit me dron treguan shkallën masive të demonstratave në Tiranë dhe morën miliona shikime në të gjitha platformat. "Nëse merr shumë nga këto raportime, META do të kufizojë llogarinë tuaj", tha ai për ËIRED. Rreth të njëjtës kohë, tha ai, disa protestues të tjerë po përballeshin gjithashtu me raportime të ngjashme kundër llogarive të tyre. "Ishte rreth orës 1 të mëngjesit dhe unë di të paktën 20 llogari që u mbyllën në të njëjtën kohë", tha ai.
“Kjo taktikë e raportimit masiv të të drejtave të autorit, e quajtur zakonisht “brigadë”, është një abuzim i sistemeve që Meta ka në vend që njerëzit të raportojnë përmbajtje vërtet problematike, abuzive, të rrezikshme ose të paligjshme në platformat e tyre”, - tha Kian Vesteinsson, zëvendësdrejtor për politikat teknologjike dhe kërkimin e të drejtave dixhitale në Freedom House. “Ne madje kemi parë këtë lloj “brigade” të ndodhë në shkallë të gjerë në kontekstin e një lufte ose konflikti. Sigurisht, është një taktikë që e pamë të zbatohet nga ushtria e Myanmarit, për shembull, për të ndjekur njerëzit që kritikonin sjelljen e qeverisë”, tha ai për WIRED.
5 nga raportimet e bëra kundër përmbajtjes së Koçit erdhën nga i njëjti burim me të njëjtën adresë emaili. Ai vendosi të kontaktonte ankuesin. “I thashë: “Ke bërë një gabim. Po e pretendon punën time si tënden. Pse po e bën këtë?’”
Për habinë e tij, Koçi mori një përgjigje. "Ai kërkoi kontaktin tim dhe më pas më dërgoi një mesazh." Personi i tha Koçit se ishte paguar 1,800 dollarë për të raportuar këto llogari dhe se do t'i tërhiqte ankesat nëse Koçi do t'i paguante atij një shumë parash. "Ai tha se do të pranonte pagesë në kriptovalutë."
Kur Koçi refuzoi, personi i dha një këshillë: "Nëse dëshiron ta mbash llogarinë të sigurt, çaktivizoje për një javë." Përpjekjet e mëtejshme për të kontaktuar personin që dyshohet se qëndronte pas sulmit mbetën pa përgjigje. Ata nuk iu përgjigj as përpjekjeve të WIRED për t'i kontaktua.
"Hulumtimi ynë ka zbuluar se pretendimet për të drejtat e autorit mund të çojnë në masa ndëshkuese më shpejt sesa shumë forma të tjera raportimi," - tha Dimitratou, duke shtuar se shpeshherë drejtohen qëllimisht ankesa të shumta kundër së njëjtës llogari, duke e bërë atë të cenueshme ndaj pezullimeve të automatizuara.
"Dobësia themelore qëndron në faktin se një keqbërësi nuk i duhet të hakojë një llogari apo të pengojë drejtpërdrejt dikë që të publikojë përmbajtje. Ata mund ta shfrytëzojnë infrastrukturën e vetë platformës për zbatimin e rregullave si një armë, duke pretenduar në mënyrë të rreme pronësinë mbi materialin dhe duke bërë raportime të përsëritura," tha Dimitratou.
Vesteinsson i tha ËIRED-it se ekzistonte edhe një dobësi tjetër: "Platformat me bazë në SHBA ndjekin ligjin amerikan për të drejtat e autorit. Dhe konkretisht, kuadrin ligjor të përcaktuar nga DMCA (Akti i Mijëvjeçarit Dixhital për të Drejtat e Autorit). DMCA përmban një dispozitë për “njoftimin dhe heqjen” (notice-and-takedown), e cila priret të nxisë zbatimin e tepruar të rregullave," - tha ai.
Një zëdhënës i META-s i tha WIRED-it se llogaritë ishin hequr gabimisht dhe ishin rikthyer, pa komentuar mbi hetimin. "Na vjen keq për shqetësimin e shkaktuar. Ne kemi një proces ankese që njerëzit mund ta përdorin kur mendojnë se kemi bërë gabim, në mënyrë që të mund ta rikthejmë përmbajtjen nëse konstatojmë se ajo nuk shkel rregullat."
Burimi i sulmeve mbetet i paqartë. Koçi dhe të tjerë e kanë akuzuar qeverinë shqiptare se po orkestron sulmet. "Ata duan ta ndalojnë protestën sepse kjo është një nga protestat më të mëdha të 35 viteve të fundit," tha ai.
Kryeministri shqiptar Edi Rama i ka hedhur poshtë akuzat. “Ne nuk kemi absolutisht asnjë lidhje me çaktivizimin apo kufizimin e ndonjë llogarie në rrjetet sociale, e as nuk zotërojmë kapacitetin teknik për të kryer një operacion të tillë. Turp për këtë grup dështakësh që përhapin të tilla marrëzira,” - tha ai në platformën X. Zyra e kryeministrit nuk iu përgjigj kërkesës së WIRED për koment.
Megjithëse llogaria e Koçit është rikthyer ndërkohë, ai shprehet se vazhdon të besojë se është subjekt i kufizimit të fshehtë të dukshmërisë (*shadow banning*).
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Thomas Regnier, konfirmoi në një konferencë për shtyp se Komisioni po heton tashmë kompaninë META lidhur me shqetësimet për kufizimin e fshehtë të dukshmërisë së zërave politikë dhe deklaroi se pretendimet e fundit “nuk përbënin aspak befasi”. Komisioni konfirmoi se hetimi është në vijim e sipër dhe theksoi rolin e Aktit për Shërbimet Dixhitale në mundësimin që përdoruesit të kundërshtojnë vendimet e pajustifikuara për moderimin e përmbajtjes.


