
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar vizitën njëjavore në Shtetet e Bashkuara, menjëherë pas kthimit në Tiranë, duke e cilësuar atë si një nga udhëtimet më të rëndësishme politike të tij.
“Ky është udhëtimi më ripërtëritës i jetës time”, tha Berisha para gazetarëve.
Kryetari i PD mori pjesë në Konventën e Partisë Republikane në Teksas, ku delegacioni shqiptar ishte i ftuar nga Unioni Demokrat Ndërkombëtar dhe Instituti Amerikan i Lidershipit.
Berisha e cilësoi konventën si një nga aktivitetet elektorale më të mëdha që kishte ndjekur, ndërsa u ndal veçanërisht te fjalimi i presidentit amerikan Donald Trump. Sipas tij, mesazhet e Trump për luftën kundër komunizmit dhe trafikut të drogës ishin goditëse edhe për zhvillimet politike në Shqipëri.
Gjatë qëndrimit në SHBA, Berisha tha se zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të Kongresit, Senatit dhe administratës amerikane, së bashku me Fatmir Mediun dhe anëtarë të tjerë të delegacionit.
Një pjesë të rëndësishme të vizitës e zunë edhe takimet me diasporën shqiptare. Berisha i cilësoi ato frymëzuese, ndërsa tha se komuniteti shqiptaro-amerikan është sot shumë më i fuqishëm se tre dekada më parë. Ai e krahasoi vizitën me udhëtimin e tij në SHBA 35 vite më parë, kur, sipas tij, kërkonte mbështetje për ndryshimet politike në Shqipëri.