
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për vendimin e Gjykatës Administrative mbi pagat e gjyqtarëve.
Në një postim në 'X', Rama deklaroi se vendimi për sigurimin e padisë nuk parashikon vetëm rritjen e menjëhershme të pagave me 51%, por edhe pagesën e diferencave të prapambetura që nga prilli i vitit 2023. Sipas përllogaritjeve të publikuara prej tij, detyrimet për 40 muaj do të arrinin në rreth 130.5 milionë euro.
Rama e kishte kritikuar Gjykatën Administrative edhe një ditë më parë, pasi ajo urdhëroi Ministrinë e Financave dhe Degën e Thesarit në Tiranë të zhbllokojnë pagat për gjyqtarët dhe administratën e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, si edhe për Gjykatën e Durrësit. Debati lidhet me kërkesën për rishikimin e pagave të gjyqtarëve dhe efektet financiare që një vendim i tillë mund të sjellë për buxhetin e shtetit.
“Ndjesë për informimin e pjesshëm mbi kuturisjen e djeshme të Gjykatës Administrative, e cila përmes sigurimit të parë të padisë në historinë botërore jo për të ndaluar një akt po për të kryer një akt, nuk kërkon vetëm rritjen e menjëhershme të pagave me 51% për gjykatësit, po edhe “të prapambeturat” që nga prilli 2023, sepse sipas tyre pagat duhet t’u ishin rritur që atëherë aq sa duan t’i rrisin vetë tani.
Gjeni në tabelën bashkëngjitur sa do të merrte çdo gjykatës personalisht në dorë nesër si shumë të prapambetur, sikur ministri i financave të shkelte ligjin dhe të shkonte pas berihajit të kësaj vendimmarrjeje ekstra-parlamentare”, shkruan Rama.