
Gjykata e Korçës ka dënuar me 12 vite burg Enedjo Gurin për vrasjen e 14-vjeçarit Erald Xhejo, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit të kaluar në fshatin Pirg të Maliqit. Vendimi u dha më 9 shtator, ndërsa Guri u shpall fajtor për “Vrasje me dashje”.
Ngjarja ndodhi më 14 gusht 2025, pas një konflikti të mbartur mes dy të miturve. Pamjet e administruara në dosje tregojnë se Guri e ndoqi viktimën me thikë në dorë, ndërsa Xhejo u përpoq të mbrohej. Gjatë përleshjes, 14-vjeçari u godit me thikë në kraharor dhe humbi jetën.
Gjykata dënoi gjithashtu me 1 vit e 6 muaj burg xhaxhain e Gurit, Roland Guri. Flori Çela, i cili e ndihmoi autorin të largohej me makinë pas ngjarjes, u dënua me 2 vite e 6 muaj burg. Babai i Enedjo Gurit u shpall i pafajshëm. Guri ndodhet aktualisht në institucionin e të miturve në Kavajë, ku pritet të vuajë dënimin.