
Një 44-vjeçar është arrestuar nga policia pasi, teksa drejtonte një ambulancë nën efektin e alkoolit, ka aksidentuar një të moshuar mbrëmjen e së premtes, në afërsi të bibliotekës së qytetit.
I moshuari po kalonte rrugën me biçikletë kur është përplasur nga ambulanca. Për pasojë, ai ka mbetur i dëmtuar dhe është transportuar menjëherë në spital, ku ka marrë ndihmën mjekësore. Sipas informacioneve të para, i moshuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas aksidentit, drejtuesi i ambulancës ka transportuar vetë të dëmtuarin në spital.
Policia i ka kryer testin e alkoolit drejtuesit të ambulancës, i identifikuar me inicialet E.Q., rreth 44 vjeç, dhe rezultati ka konfirmuar se ai ishte nën efektin e alkoolit.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, E.Q. është arrestuar dhe ndaj tij janë ngritur akuzat për drejtimin e mjetit në gjendje të dehur dhe shkaktimin e aksidentit.
Grupi hetimor vijon punën për të dokumentuar rrethanat dhe dinamikën e plotë të aksidentit.