
Reese Witherspoon ka folur rrallë për jetën personale të mikeshës së saj të ngushtë dhe bashkëprotagonistes në “The Morning Show”, Jennifer Aniston, duke prekur edhe marrëdhënien e saj me ish-bashkëshortin Brad Pitt.
Gjatë një interviste në podcastin e Dax Shepard, Witherspoon tregoi se shpesh është emocionuar kur ka parë mënyrën se si publiku gjykon jetën personale të Aniston.
“Kam qarë në një nga intervistat tona, sepse mendoja se njerëzit ndonjëherë janë kaq të padrejtë. Ata mendojnë se e njohin atë dhe bëjnë supozime”, tha Witherspoon.
Shepard argumentoi se publiku shpesh ka krijuar një imazh të caktuar për Aniston dhe pret që ajo të sillet gjithmonë në përputhje me të.
“Ajo nuk është duke pritur Bradin”, tha Shepard, duke iu referuar narrativës së vazhdueshme për marrëdhënien e Aniston me Pitt. Witherspoon u pajtua me të dhe solli si shembull festën e 50-vjetorit të aktores.
Sipas saj, lista e të ftuarve në atë festë ishte një dëshmi e fortë e karakterit të Aniston.
“Njerëz nga adoleshenca e saj, njerëz nga të 20-at, persona që punojnë në shtëpinë e saj, çdo ish-bashkëshort, çdo ish i dashur ishte aty”, tregoi Witherspoon.
Jennifer Aniston dhe Brad Pitt nisën lidhjen në vitin 1998 dhe u shfaqën për herë të parë së bashku në tapetin e kuq në ceremoninë Emmy të vitit 1999. Çifti u martua në vitin 2000, por u nda në vitin 2005, duke u bërë një nga ndarjet më të përfolura të Hollywood-it.
Pavarësisht divorcit, Aniston ka ruajtur një marrëdhënie korrekte me Pitt. Aktori ishte gjithashtu mes të ftuarve në festën e 50-vjetorit të saj në vitin 2019, duke rikthyer në atë kohë vëmendjen te ish-çifti.
Witherspoon theksoi se kjo marrëdhënie miqësore është një tjetër dëshmi e karakterit të Aniston.