Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme në Tiranë, ku një 37-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e plagëve me thikë që ka marrë nga babai i tij.
Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:50, tek Kodra e Priftit, në rrugën “Ilia Shyti” ku në banesë, shtetasi H. Gj., rreth 74 vjeç ka goditur me thikë të birin, shtetasin A. Gj., 37 vjeç. Ky i fundit ka humbur jetën në spital.
Pas njoftimit të marrë për ngjarjen, shërbimet e Policisë kanë bërë shoqërimin e autorit në komisariat për veprime të mëtejshme. Shkaku i vrasjes dyshohet të jenë bërë ngacmimet dhe talljet e të birit ndaj të atit të tij. Në polici i moshuari ka pranuar se ka vrarë të birin, ndërsa dyshohet se në momentin e vrasjes të dy kanë qenë të dehur. Ndërkohë grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.