Policia greke po përpiqet të zbardhë historinë e plotë që qëndron pas dy shqiptarëve që u arrestuan një ditë më parë. Jenis Tulja dhe Mirjan Guveli akuzohen për vrαsjen gjakftohtë të shqiptarit 47-vjeçar me pasaportë greke, Irakli Davella.
Ngjarja ndodhi në 15 dhjetor 2024 në Athinë. Në ngjarje mbeti i plagosur rëndë edhe 46-vjeçari Edi Lulo alias Etmond Hysa. Dy të dyshuarit janë larguar me një automjet “Renault Kadjar” të cilit i kishin vendosur targa false.

Sipas informacioneve që jep “Protothema”, autoritetet besojnë se të arrestuarit janë vrasës profesionistë, kjo edhe pasi mënyra se si kanë vepruar tregon se janë njerëz që “e njohin profesionin”. Ata vepruan shpejt, qëlluan 4 plumba dhe të gjithë gjetën objektivin e tyre. Një vlerësim që përforcohet edhe nga gjetjet në banesat e tyre ku ndër të tjera u gjetën dhe u konfiskuan dy kallashnikovë.
Të njëjtat burime thanë se dy autorët janë paguar për vrasjen. Në të kaluarën ata ishin të njohur për autoritetet për krime të vogla, konkretisht për një sasi të vogël droge njëri dhe tjetri për një vjedhje. Pas vrasjes autorët e kanë parkuar makinën në një park në Nea Smyrni. Përmes pamjeve të kamerave në zonë hetuesit kanë arritur të lokalizojnë mjetin e përdorur.
Vlen të theksohet se gjatë hetimeve për vrasjen, njëri nga dy të arrestuarit ka ardhur 5 herë në Shqipëri, por lëvizjet e tij nuk arritën të çorientonin policinë greke që ishte bërë hija e tij. ©LAPSI.al