Flash

Në Mal të Zi paralajmërojnë votë kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lapsi.al 25 March 2024
Në Mal të Zi paralajmërojnë votë kundër pranimit

Partia Demokratike Popullore (PDP) në pushtet në Mal të Zi e ka mbështetur deputeten e vet, Maja Vukiçeviç, si kryetare e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), për të votuar kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

“Përkrahja e plotë i është shprehur nënkryetares së partisë, Maja Vukiçeviç, kryetare e delegacionit malazez në APKE, që të votojë kundër pranimit të të ashtuquajturës Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, thuhet në deklaratën e partisë të publikuar më 24 mars.

PDP-ja është njëra nga anëtaret e Frontit Demokratik (FD) të shpërbërë prorus dhe proserb dhe përbën shumicën parlamentare në Mal të Zi, e cila udhëhiqet nga Lëvizja Evropa Tani, e kryeministrit Millojko Spajiç. Kjo parti, e udhëhequr nga njëri prej liderëve të ish-FD-së, Millan Knezheviç, avokon për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, daljen e Malit të Zi nga NATO-ja dhe heqjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Kur erdhi në pushtet në fund të vitit të kaluar, PDP-ja njoftoi se nuk do t'i ngrinte këto çështje. Në marrëveshjen e koalicionit me Lëvizjen Evropa Tani të kryeministrit Spajiq, palët ndër të tjera u pajtuan që Qeveria të mos merrte vendime që do të vinin në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës, sanksionet kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, dhe detyrimet ndaj NATO-s.

Kosova u njoh në vitin 2008 nga Qeveria e Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq, e cila në gusht të vitit 2020 humbi zgjedhjet ndaj FD-së proserbe dhe proruse, Demokratëve dhe lëvizjes URA.

Delegacioni i Malit të Zi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës përbëhet nga gjashtë anëtarë, nga të cilët katër janë anëtarë të Qeverisë dhe dy anëtarë të opozitës. Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës e dorëzoi në Asamblenë Parlamentare kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë në prill të vitit 2023 dhe kështu nisën zyrtarisht procedurat për shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës.

Pro kërkesës së Kosovës votoi edhe përfaqësuesi i Malit të Zi. Për këtë reaguan ashpër një pjesë e partive proserbe në pushtet. Të pakënaqur me faktin se Mali i Zi votoi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, deputetët e FD-së kërkuan një seancë dëgjimore të kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të atëhershme, Dritan Abazoviq.

Interesi i Malit të Zi për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është në mirë të stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, kishte thënë Abazoviq gjatë seancës së Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Parlamentit të Malit të Zi në maj 2023.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

Kjo çështje mund të jetë vendimtare për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të atij institucioni, që do të mbahet në prill. Nëse Kosova merr dritën jeshile në Asamblenë Parlamentare, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës – gjë që Qeveria kosovare pret të ndodhë në maj. Në maj të vitit 2022, Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Marrë nga REL

Të këshilluara

Largohet nga drejtimi i QSUT-së Albana Fico

Alban Fico është larguar nga drejtimi i Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë , post që e mbante që nga dhjetori i vitit 2021. Nuk dihet ende a...

10:43

ide

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

14°c

KËMBIMI EURO

92.03

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI