Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me operacionin anti-korrupsion, që ka vënë në pranga 10 persona për abuzimet me tenderat në bashkinë Lushnje, mes tyre edhe kryebashkiaku Fatos Tushe. Rama thotë se Partia Socialiste nuk do të mbrojë asnjë të akuzuar nga drejtësia, qoftë edhe kryetarin e bashkisë Lushnjë.
“Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve.
Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”, shkruan Rama.
Të arrestuar janë vartës të Tushes dhe biznesmenë. Ato kanë rënë në pranga për tenderin për rehabilitimin e kanalit ujitës, me vlerë 24 mln lekë të reja.