Kryedemokrati Lulzim Basha është takuar sot me ministrin gjerman të Shtetit për Europën Michael Roth. Pas takimit ai ka thënë se ka informuar zyrtarin gjerman në lidhje me vjedhjen e zgjedhjeve në 25 prilli dhe ka theksuar se nuk duhet të heshtet para një fakti të tillë. Në një prononcim për mediat, Basha tha se i ka kërkuar ministrit Roth ta denoncojë masakrën elektorale para se të jetë vonë.
“Shqipëria humbi një mundësi të artë për shqiptarët dhe për demokracinë dhe për të ecur para me procesin e integrimit evropian të vendit. Për mua nuk ka asnjë mundësi tjetër sesa procesi i integrimit evropian që është i bazuar te arritjet dhe për fat të keq nga këto zhvillime Shqipëria ka mbetur në vend numëro për vite për shkak të kushteve të vendosura që janë rënduar më shumë me zgjedhjet e 25 prillit. Opozita ka bërë gjithçka siç është konsensusi për reformën në drejtësi dhe atë të 5 qershorit por që qeveria i shkeli me këmbë. Ajo që i kërkova ministrit Roth është që të flasin dhe të denoncojnë masakrën zgjedhore të 25 prillit për të mos lënë që Shqipëria të jetë e mbushur me drogë në Parlament”, ka thënë Basha.
Kreu i Partisë Demokratike shtoi se më 25 prill Shqipëria humbi një mundësi të artë për shqiptarët, demokracinë dhe integrimin.