Ditën e djeshme në vendin tonë mbërritën 10 mijë doza të vaksinës ruse Sputnik V dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe për Shqipërinë. Ditën e sotme nga foltorja e Kuvendit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se me këto doza do të vijojë vaksinimi i të moshuarve +80 vjeç. Manastirliu tha se në ditët në vijim pritet intensifikimi i procesit të vaksinimit.
"Në tërësi bashkë me dozat e ardhura dje, kemi 90 mijë doza vaksine në total. Ndërkohë që presim që të na vijnë doza të tjera nga Pfizer në ditët e para të prillit. Gjithashtu presim nga Covax edhe një sasi tjetër të AstraZeneca, deri tani kemi një të dhënë për 60 mijë deri në 80 mijë vaksina të AstraZeneca. Po konkludojmë negociatat që kemi hapur përsa i përket edhe fillimit të vaksinimit masiv”, tha Manastirliu.
Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 48,215 doza të vaksinës ndaj COVID-19. 27,872 vaksinime janë bërë për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 7,932 vaksinime për të moshuarit dhe 12,411 vaksinime për arsimtarët.